E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit në qeli padrejtësisht, 730 mijë lekë

11/01/2005  Bie vlera e një dite burg të padrejtë. Javën e shkuar, Qeveria ka marrë vendim, duke miratuar një projektligj, sipas të cilit, një shtetas që burgoset padrejtësisht, nëse shpallet i pafajshëm nga gjykata, nuk mund të marrë më shumë se 730 mijë lekë të reja për një vit. Në këtë mënyrë, një ditë burg është afërsisht 2 mijë lekë të reja. Projektligji rregullon rastet e kompensimit për burgim të padrejtë, përfshirë edhe arrestin në shtëpi, masën dhe mënyrën e llogaritjes së kompensimit, si dhe procedurat për kërkimin e tij. Kështu, projektligji përcakton se personi i deklaruar i pafajshëm, ose për të cilin është pushuar çështja me vendim gjykate, apo të prokurorit, të formës së prerë, apo është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendim, gëzon të drejtën e kompensimit për burgimin e vuajtur. Afati për të bërë kërkesën është trevjeçar. Më parë një ditë burg e padrejtë dëmshpërblehej me 5 mijë lekë të reja. Tashmë, vlera përgjysmohet, duke lehtësuar disi Buxhetin e Shtetit, pasi pafajësitë e të pandehurve nuk janë të pakta.

Raste

Kryeministri Fatos Nano është sipas vendimeve të gjykatës së formës së prerë, një ndër të burgosurit padrejtësisht, që ka marrë dëmshpërblimin e vuajtjes së dënimit. Mbi 70 milionë lekë dëmshpërblim, ka qenë vendimi i gjykatës, që më pas është ekzekutuar nga Ministria e Financës, duke i kthyer kreut të qeverisë paratë. Tjetër përfitues i vendimeve të gjykatës është ish i pandehuri i procesit "Hajdari", Fatmir Meta, i cili, pas dy vjet hetimi dhe gjykimi, mori pafajësi nga të dyja shkallët. Rast tjetër është ai i Irena Shehut, e cila qëndroi për gati një vit në arrest shtëpie, derisa nga gjykata u shpall e pafajshme për akuzën e favorizimit të prostitucionit. Paratë e burgut të padrejtë i mori edhe Dritan Avdyli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Erjeta Avdyli, që mori 10 milionë lekë të vjetra. Kreshnik Lusha, Sokol Mulosmani, Blerim Çela, Bujar Rama, Safet Zhulali, Halit Shamata, janë të gjashtët e dosjes së "Genocidit" të '97-ës, të burgosur padrejtësisht, që kanë kërkuar dhe përfituar, ende pjesërisht dëmshpërblim.

Përplasje

Për vitin 2004 numri i personave që kanë fituar duelin mes prokurorisë dhe gjykatës dhe kanë marrë pafajësi, nuk është shumë i madh. Ndërsa në ministri kanë përfunduar emrat e shtatë personave që kanë fituar gjyqin për dëmshpërblim për burgimin e padrejtë për 2004-ën, në gjykatë ndodhen ende dhjetë persona të tjerë, që presin vendimin e formës së prerë. Ndërkohë, ministria ende nuk ka likuiduar një pjesë të madhe të dënuarve padrejtësisht që nga viti 2003. Gjatë 2004-ës janë shpërblyer për burgimin e padrejtë vetëm 22 shtetas, në pjesën e parë të vitit, ndërsa prisnin të likiudoheshin dhe 76 të tjerë. Në gjykatë, thonë se janë të detyruar të dëmshpërblejnë personat që kanë marrë pafajësi, pasi ata janë privuar nga puna për aq kohë sa kanë qenë nën hetim, apo kanë marrë dënim të padrejtë.

Ministria e Financave

Ministria e Financave është e detyruar që, për çdo vit të caktojë një fond të veçantë, që, kryesisht jepet afërsisht i limituar nga Buxheti i Shtetit, për të dënuarit padrejtësisht, që do të përfitojnë dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Gjykata jep vendimin dhe kur ai merr formë të prerë, atëherë dikasteri i Financave është i detyruar ligjërisht të zbatojë vendimin e gjyqësorit. Fondi që i duhet kësaj ministrie, për të shlyer pjesën e mbetur nga viti 2003 dhe ata që kanë përfituar dëmshpërblim gjatë pesë muajve të parë të vitit 2004, ka qenë afër 100 milionë lekë, ndërkohë që nevojitet shumë më tepër.

Projektligji i Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për kompensimin e burgimit të padrejtë”. Projektligji rregullon rastet e kompensimit për burgim të padrejtë, përfshirë edhe arrestin në shtëpi, masën dhe mënyrën e llogaritjes së kompensimit, si dhe procedurat për kërkimin e tij. Kështu, projektligji përcakton se personi i deklaruar i pafajshëm, ose për të cilin është pushuar çështja me vendim gjykate apo të prokurorit, të formës së prerë, apo është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendim, gëzon të drejtën e kompensimit për burgimin e vuajtur. Afati për të bërë kërkesën për kompensim është periudha brenda 3 vjetëve, nga data e lindjes së të drejtës në gjykatën e rrethit gjyqësor, që ka dhënë vendimin e dënimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›