E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri serb dënon vrasjen e shqiptarit

11/01/2005  Ministri serb i mbrojtjes, Prvosllav Daviniq, ka paralajmëruar ndëshkim për ushtarët serbë, nëse rezultatet e autopsisë së vdekjes dhe vendit të ngjarjes, dëshmojnë parregullësi të ushtarëve serbë. Të premten e javës së shkuar, xhandarmëria serbe ka qëlluar me armë, duke vrarë të riun shqiptar, Dashnim Hajrullahu. Vrasja e shqiptarit ka tensionuar në masë të madhe situatën politike dhe të sigurisë, e cila nga përfaqësuesit e ushtrisë serbo-malazeze, përkundrazi, vlerësohet të jetë stabile. Sipas njoftimeve të zyrtarëve serb, analizat e shkaqeve të vdekjes dhe të gëzhojave në vendin e ngjarjes, do të publikoheshin dje, por gjatë ditës së djeshme, kjo nuk është bërë. Këshilltarët komunalë të Preshevës kanë shprehur dyshime në deklaratat e tilla. Banorët e Preshevës, rajon në të cilin ndodhi edhe vrasja e të riut shqiptar, kanë planifikuar të zhvillojnë sot në orën 12.00 një protestë gjithëpopullore e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe më gjerë kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të miturit Dashnim Hajrullahu nga Rahovica, i cili është përcjellë në banesën e fundit, dy ditë më parë. Në shenjë proteste, funerali i shoqëruar nga turma, marshoi nga Rahovica, deri para godinës së Kuvendit komunal në Preshevë, nga ku u kthye në varrezat e fshatit. Vrasja ndodhi të premten në kufi mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe policia e xhandarmëria serbe, tha se i riu shqiptar po tentonte të kalonte kufirin. Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës, e kanë dënuar “dhunën, e cila po ushtrohet ndaj popullatës shqiptare të këtij rajoni”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›