Pranga në Padova dy shqiptarëve me armë e drogë
11/01/2005 Dy shqiptarë u arrestuan dje nga policia italiane, me akuzën e trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje. Mediat vendase, njoftuan dje se një aksion i policisë i organizuar në qytetin e Padovës, ka zbuluar dy shqiptarët, të cilët janë vënë në pranga teksa mbanin me vete një sasi prej 1.5 kilesh heroinë dhe dy armë. Vëllezërit Pjerin dhe Kolec Ndoka, janë arrestuar nga më shumë se 40 agjentë italianë, që kanë marrë pjesë në aksion. Sipas mediave italiane, gjatë aksionit janë arrestuar edhe tre shtetas italianë, të cilët besohet se kanë shërbyer si organizues të trafikut të drogës, që zhvillohej nga dy shqiptarët e arrestuar. Policia e qytetit të Padovës, tha dje se ndaj dy shqiptarëve ka patur edhe një vendim arresti të vitit të shkuar, me akuzën e vjedhjes.