E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apeli, dy oficerë policie të pafajshëm

23/05/2005  U akuzuan para 1 viti për veprime abitrare, ndaj një të dyshuari për vjedhje

Dy oficerë policie, dalin të pafajshëm pas akuzave të ngritura për veprime arbitrare ndaj tyre. Gjykata e Apelit Tiranë, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër, dhe deklaroi të pafajshëm Oficerin e Policisë Kriminale, Andi Marku dhe inspektorin e rendit, Nuri Loraçi, të akuzuar se, në bashkëpunim, kishin kryer veprime arbitrare ndaj shtetasit Beqir Kaba. Në maj të 2004, Beqir Kaba ishte shoqëruar në policinë e Dibrës, me kallëzim të xhaxhait të tij “se kishte vjedhur banesën”. Pas veprimeve nuk është dokumentuar vjedhja nga ana e policisë, dhe ai u la i lirë. Pas 5 ditësh, Beqir Kaba bën kallëzim në prokurori se është keqtrajtuar nga grupi i gatshëm, punonjësi i policisë, etj. Pas 6 muajsh hetime, Prokuroria e Dibrës, e dërgoi çështjen në gjykatë, megjithëse të gjithë dëshmitarët e pyetur, deklaronin të kundërtën e pretendimit të Beqir Kabës. Gjithashtu, vetë Beqir Kaba me shpjegimet që kishte dhënë më vonë pranë prokurorisë në prani të babait të tij, Igli Kaba, deklaroi se punonjësit e policisë i kishte implikuar nga inati, sepse po e akuzonin padrejtësisht sipas tij. Ndonëse pa prova, në muajin janar prokuroria e dërgoi çështjen në gjykatë, ku u pyetën 15 dëshmitarë, që të gjithë dëshmitarë të akuzës, ku në shpjegimet e dhëna, nuk rezultonte që kishte figurë krimi, gjithashtu dhe i pretenduari si i dëmtuar akuzues, kur u pyet tha para gjykatës se “për oficerin Marku, në momentin që ka bërë kallëzimin fillestar, kam gënjyer dhe i kërkoj falje para gjykatës. Kam menduar se ai mund të kishte udhëzuar grupin e gatshëm të ushtronin dhunë ndaj meje, në kohën që më kanë shoqëruar për në komisariat dhe për asnjë moment tjetër”. Nisur nga këto thënie, prokurori e ka arrestuar për kallëzim të rremë në sallën e gjyqit, dhe për 11 seanca rresht nuk është paraqitur në gjykatë asnjë provë. Këto janë absurditete dhe shkelje flagrante të ligjit, thotë avokati Agim Ibro, i cili shton se, për asnjë moment, në të gjitha dëshmitë që kishte sjellë organi i akuzës, nuk përmendet emri i Andi Markut, që kishte kryer ndonjë veprim të paligjshëm. Gjykata thotë Ibro, ka bërë një gjykim tërësisht juridik e profesional dhe deklaroi të pafajshëm oficerin, Andi Markun, dhe inspektorin Nuri Smaçi. Avokati Petraq Sema që bëri mbrojtjen në gjykatën e Apelit, thotë se vendimi i gjykatës për lënien në fuqi të pafajësisë, është tërësisht i drejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›