Tavo nis fushatën në Gjirokastër
23/05/2005 Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, çeli dje fushatën e tij elektorale në fshatin Goranxi, që përfshihet në zonën nr.92 të Gjirokastrës. Gjatë një takimi me banorët e këtij fshati, Tavo u shpreh se "jemi krenarë për të gjitha investimet që kemi bërë, duke siguruar shërbimin e telefonisë fikse, rrugët e asfaltuara deri në fshatrat më të largët të komunës". Sipas kandidatit Tavo, së fundi është siguruar një financim prej 780 mijë euro nga Programi i Zhvillimit i OKB-së, për ndërtimin e ujësjellësit në zonën e Dropullit, që do të sigurojë furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm. Ndërkohë, që ka filluar investimi për rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike. Vangjel Tavo, kandidon për herë të katërt në këtë zonë elektorale, duke fituar dy herë mandatin e deputetit. Ai konkurron në këtë fushatë elektorale përballë kandidatit të PD-së, Artur Roshi, kandidatit të AD-së, Cane Tarifa, kandidatit të PDS-së, Asim Peta, kandidatit të PSD-së, Anesti Decka dhe atij të PBDNJ-së, Spiro Ksera.