E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Pas 3 korrikut nuk do të sundojë asnjë familje apo klan"

23/05/2005  Meta prezanton 6 kandidatët në Durrës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka hapur dje fushatën elektorale në Durrës, ku ka prezantuar gjashtë sfidantët e LSI-së, në gjashtë zonat elektorale. Elvira Bleta, në zonën nr.29, Leonidha Gjermeni në zonën nr.28, Arben Dushi në zonën nr.27; Raimond Todhe, në zonën nr.30; Gani Moka, në zonën nr.25 dhe Andi Shahini në zonën nr.26, janë përfaqësuesit e LSI në qytetin bregdetar. Në fjalën e tij, Meta garantoi se në Durrës, "nuk do të sundojnë më asnjë familje, apo klan, pas 3 Korrikut, por do të sundojë ligji, do të sundojë qetësia, do të sundojë qytetaria, e cila është cënuar kaq rëndë këto vitet e fundit". Më pas, ai shtoi se “alternativa e LSI, është alternativa e cila do të ketë suksesin kryesor në luftën kundër varfërisë, kundër kriminalitetit, kundër këtij depresioni social, i cili ka provokuar dhe provokon dhjetra e qindra vetëvrasje. Ilaçi ynë kryesor kundra varfërisë dhe kundra të gjithë fenomeneve të rënda sociale, do të jetë nxitja e politikave të punësimit. Këtu do të përqëndrohet e gjithë alternativa politike dhe ekonomike e LSI-së". Meta theksoi se LSI do të garantojë një administrim të rritjes ekonomike, "jo në favor të disa grupeve që përfaqësojnë monopolet ekonomike, por në favor të qytetarëve, të shumicës së shqiptarëve dhe të publikut. Kjo gjë është vendimtare për të kapërcyer këtë hendek dhe polarizim social të jashtëzakonshëm". Kreu i LSI thekson se politikat për taksat që do të zbatojë kjo lëvizje do të synojë nxitjen e punësimit, si dhe deklarimin e këtyre të punësuarve, "pasi e dimë se puna e zezë dhe mos sigurimi i mijëra e mijëra shqiptarëve, është një tjetër plagë me pasoja për sot, por edhe për të ardhmen, i të gjithë qytetarëve".

Dje, lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka prezantuar në qytetin e Koplikut, kandidatin për deputet të partisë së tij, Sytki Ndreca. Meta, në fjalën e tij ka sulmuar qeverinë aktuale të kryeministrit Nano, duke theksuar se ajo nuk ka mbajtur premtimet. Meta u kujtoi banorëve të zonës elektorale nr. 1, se autostrada Shkodër-Hani Hotit, tashmë duhej të kishte përfunduar", ndërsa në realitet ajo as që ka filluar ndonjëherë. Për këtë zonë nuk mund të harrohen asnjëherë 23 djem të cilët u lanë të vdisnin në det. Prandaj ka ardhur koha për ndryshime".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›