E Hënë, 2 Nëntor 2026

S’ka emër për kokën e prerë të Jubë-Sukthit

23/05/2005  Pas 3 javësh në Morgun e Tiranës nuk ka mbërritur asnjë person të interesohet

TIRANË- Koka e prerë e gruas nga Veriu i Shqipërisë, ka mbetur thjesht relike në Morgun e Tiranës. Asnjë person tjetër, veç Ylli Selit, vëllait të Irena Selit, nuk është interesuar në dyert e Mjekësisë Ligjore, për të identifikuar këtë pjesë të trupit të gruas. Burime nga morgu i Tiranës, bënë të ditur dje për gazetën se, tashmë koka e paidentifikuar vazhdon të qëndrojë në raftet e frigoriferëve. Sipas të njëjtave burime, janë kryer të gjitha analizat e mundshme, dhe ende nuk është arritur në identifikimin e plotë të saj, edhe pse përshkrimi ka nxjerrë në pah vetëm faktin se gruaja e vdekur, mund të jetë nga veriu i vendit, për shkak të disa karakteristikave të nofullës. Sakaq, nga të gjitha përshkrimet e tjera që kanë ardhur në adresë të morgut, mjekët nuk kanë qenë të sigurtë se përputheshin me identikitin që ata tashmë e kanë krijuar.

Gjetja e kokës

Disa ushtarë pranë pishave në Jubë-Sukth të Durrësit, gjetën kokën të varrosur rreth dy javë më parë e diku më tutje, një thikë me njolla gjaku. Tronditja që u kishte shkaktuar pushuesve pamja e llahtarshme e një koke të veçuar nga trupi, që ende nuk dihet se ku ka përfunduar, nuk kishte si të mos pasohej me një telefonatë urgjente në Policinë e Durrësit, efektivët e së cilës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Aty kanë mbërritur edhe mjekët eksperto-ligjorë të spitalit të këtij qyteti, të cilët, në bashkëpunim edhe me specialistë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të ardhur nga Tirana, kryen veprimet e para proceduriale. Koka, sipas burimeve policore, mendohet se i përket një gruaje, mbi 30 vjeçe, dhe viheshin re qime të gjata e një kapse flokësh. Ajo është therur me thikë dhe më pas është varrosur pranë repartit të tankeve. Indet e mbetura në disa pjesë mishtore të fytyrës, u kanë dhënë ekspertëve përshtypjen se ajo nuk ka më tepër se 2 muaj që ka ndërruar jetë. Dyshimet janë të shumta. Vrasësi e kishte ekzekutuar në një tjetër vend, dhe kokën e solli pranë repartit të tankeve, ku e varrosi. Më pas nguli thikën në tokë dhe u largua dhe të gjitha veprimet, sipas policisë, janë kryer në errësirën e plotë, të një prej netëve të dy muajve më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›