E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Arvizu-t: Përmirësoni Kodin!

29/08/2011  Reforma zgjedhore

Pak ditë më parë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i sugjeroi politikës shqiptare që të fokusojë energjitë në hartimin e ligjit të ri elektoral. Qëndrimi i shefit të diplomacisë amerikane në Shqipëri u bë publik pasi dy kampet e mëdha politike e interpretuan raportin final të OSBE/ODIHR-it në dy këndvështrime të ndryshme. Ai kërkoi nga dy gjigandët e politikës shqiptare të tregohen serioz në hartimin e Kodit të ri Elektoral. “Raporti i OSBE –ODIHR ishte një raport tërësor, i plotë dhe objektiv. Themi herë pas here që infrastruktura ligjore në Shqipëri, është e plotë dhe e mirë, por zbatimi i ligjit lë për të dëshiruar. Siç e bën të qartë raporti i OSBE/ODIHR-it ka boshllëqe në Kodin Elektoral, i cili ka nevojë për t’u përmirësuar, sepse këto boshllëqe nuk kanë lejuar zbatimin më tej të tij. Dhe këtu duhet të jetë fokusi, sidomos i reformimit elektoral. Të gjitha energjitë dhe fokusi duhet të përqendrohen në hartimin e reformës zgjedhore. Të dy palët duhet ta bëjnë këtë, duhet të tregohen seriozë, në lidhje me reformën në të kundërt nuk do të jetë e suksesshme”,- tha Arvizu. Sesioni i ri parlamentar pritet të sjellë zhvillime të reja në qarqet politike për sa i takon kërkesës së ndërtimit të ligjit të ri zgjedhor. Deklaratat e ambasadorit Arvizu u bënë pas përfundimit të takimit që ai zhvilloi me ministrin e ri të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›