E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Ban Ki Moon Turqia e Izraeli te ndalin tensionin

Sekretari i Përgjithshëm I Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon bëri thirrje që Izraeli dhe Turqia të pranojnë rekomandimet e raportit të OKB-së për vdekjen e nëntë aktivistëve turq gjatë sulmit izraelit mbi një anije ndihmash që ishtenisur drejt Rripit të Gazës. Moon apeloi që dy vendet duhet të rikthejnë marrëdhëniet normale mes tyre, të cilat u përkeqësuan pikërisht për shkak të raportit të fjalë, i cili e cilëson të ligjshëm ndërhyrjen e Izrealit, por të panevojshme përdorimin e dhunës.  

Turqia dëboi ambasadorin izraelit dhe ngrirë të gjithë bashkëpunimin ushtarak me shtetin hebraik, pasi raporti i OKB-së nuk arriti të ketë jehonën e një kërkese faljeje nga Tel Avivi në drejtim të Ankarasë. Autoritetet izraelite madje u shprehën se nuk do të kërkojnë kurrë falje, dhe vetëm kanë shprehur keqardhjen e tyre për incidentin.

Moon tha në Kanberra pas takimit me kryeministren australiane, Julia Gillard se shpresonte që dy vendet të përmirësojnë marrëdhënet.

"Të dyja shtetet zënë një vend të rëndësishëm në rajon. Marrëdhëniet e mira mes tyre, marrëdhëniet normale, do të ishin shumë të rëndësishme për të gjitha situatat në Lindjen e Mesme, ku përfshihet edhe procesi i paqes”-tha Moon.

Ban theksoi se nuk do të bënte asnjë koment për raportin e hartuar nga injë panel që drejtohej nga ish-kryeministri i Zelandës së Re, Gofri Palmer. Raporti u botua në Nju Jork Times përpara se të shkonte në zyrën e shefit të OKB-së dhe vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara përpiqen për një afrim të dy vendeve në kuadër të përpjekjeve për të menaxhuar ndryshimet e mëdha që nisën këtë pranverë në Lindjen e Mesme.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›