E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Blushit: “Aplikoni për karta! Dy mijë lekë të vjetër për të hequr Berishën janë shumë pak”



Deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Alfred Dalipi, si dhe nënsekretari për Koordinimin në PS, Arben Ahmetaj, kanë zhvilluar një takim në komunën e Vithkuqit në rrethin e Korçës. Gjatë takimeve me banorët atje, Dalipi e Ahmetaj kanë folur për programin e ri qeverisës të PS-së, i cili, sipas tyre, synon që të zhdukë varfërinë dhe të zhvillojë bujqësinë në vend. “Ngritja e një ministrie të zhvillimit rural do t’i japë një tjetër frymëmarrje fermerit shqiptar që sot është ndër të vetmit në Europë që nuk ka asnjë përkrahje financiare nga shteti, nuk ka asnjë politikë mbështetëse dhe zhvilluese të tij”, - tha Blushi. Deputeti socialist u ka bërë thirrje të gjithë banorëve që të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti, pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë për to. Blushi tha se shuma prej 2 mijë lekësh është shumë e vogël përpara detyrës së madhe për të larguar Sali Berishën nga pushteti. “Nuk mund të rritemi, të bëhemi burra dhe të plakemi me Sali Berishën, sepse u bë 20 vjet që turbullon jetët tona. U bënë 20 vjet, që qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, e turbullon Shqipërinë, nuk i jep asgjë dhe gjithmonë ikën duke bërë dëm. Këtë radhë nuk do ta lejojmë të na bëjë dëm, nuk do ta lejojmë që të marrë me vete në pensionin e tij shpresën tonë për një Shqipëri europiane. Më 28 qershor do të shkojmë të votojmë të gjithë siç jemi, për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndryshuar cilësinë e jetës, për të hapur më në fund një faqe europiane për Shqipërinë. Më 28 qershor, pa dyshim do të jetë një ditë ndarjeje, do të jetë një ditë divorci i madh me një politikë që në 20 vjet nuk i dha popullit atë që meritonte, në 20 vjet nuk u dha shqiptarëve rrugën e duhur. Në rreth 20 vjet rruga drejt Europës u bllokua, edhe sot është e bllokuar, sepse qeverisemi keq, nga një qeveri e korruptuar, nga një njeri që nuk ka çfarë t’i thotë popullit të vet dhe nuk ka çfarë t’i thotë Europës në emrin tonë. Ju kërkoj të gjithëve të bëni një sakrificë të vogël për të shkuar dhe për të marrë letërnjoftimin, sepse dy mijë lekë të vjetër për të hequr qafe Sali Berishën është shumë pak. Dy mijë lekë për të votuar kundër kësaj qeverie është shumë pak. Kushdo që ka dy mijë lekë, mund ta heqë Sali Berishën nga pushteti. Kushdo që ka dy mijë lekë të vjetër duhet të vijë me ne më 28 qershor dhe të votojë për të ndryshuar qeverinë e Shqipërisë”, - tha Blushi.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›