E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Do të rishohim vendimin për zgjedhjet, nëse nuk zgjidhet ngërçi i kartave

Gjiknuri: “Qytetarëve që duan të aplikojnë po u kërkohen dokumente shtesë, aplikimi vazhdon të jetë 1200 lekë. Selia rozë: Në 38 komuna nuk ka nisur procesi, 25 mijë shtetas rrezikojnë të mbeten pa karta

Shaban Sulçe

Partia Socialiste jep paralajmërimin e saj të parë në drejtim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Teksa më parë selia rozë ishte shprehur e vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor, sipas datës së dekretuar nga presidenti, problemet e mëdha dhe të theksuara që po shoqërojnë procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit kanë bërë që Partia Socialiste të paralajmërojë rishikimin e pozicionit të saj politik në drejtim të procesit zgjedhor. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, duke denoncuar dje një sërë problemesh dhe parregullsish në këtë proces, tha se në rast të mospërmirësimit të situatës në terren, Partia Socialiste do të rishikonte qëndrimin e saj politik në lidhje me zgjedhjet. “Partia Socialiste është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimin tonë politik në lidhje me zgjedhjet”, - deklaroi Gjiknuri.

Denoncimi
Gjiknuri tha se Partia Socialiste po ndjek me shumë vëmendje dhe shqetësim procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Ai denoncoi faktin se vendimet e reja të qeverisë për reduktimin e çmimit për aplikim nuk po zbatohen nga strukturat lokale dhe nga shërbimi postar, ku qytetarët ende paguajnë çmimin fillestar prej 1200 lekësh për të aplikuar. Ai shtoi se vendimi për reduktimin e tarifës jo vetëm që filloi të zbatohet me vonesë, por nuk po zbatohet siç duhet. Sipas Gjiknurit, konstatohet se në shumë agjenci postare shtetasit pa pasaportë, që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme, nuk po pajisen me kupon kundrejt tarifës 200 lekë, me pretekstin se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një të tillë. “Ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë”, - tha nënsekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste. Ai i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme që të heqin dorë nga kërkimi i dokumentacionit shtesë për aplikimin e qytetarëve, pasi një gjë e tillë frenon gjithnjë e më shumë procesin. “I kërkojmë Ministrisë së Brendshme që të deklarojë zyrtarisht dhe publikisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e MB duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj”.

Aplikimi

Gjiknuri deklaroi se procesi është seriozisht në rrezik, pasi sistemi i zyrave të aplikimit ende nuk është shtrirë në të gjithë vendin. Sipas të dhënave që disponon selia rozë, procesi i aplikimit nuk ka nisur në 38 komuna të vendit, duke rrezikuar aplikimin dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të mbi 25 mijë zgjedhësve. “Partia Socialiste është gjithashtu thellësisht e shqetësuar se akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar. Gjithashtu në shumë njësi transporti falas i premtuar nga Kryeministri nuk po funksionon duke privuar shumë njerëz nga aplikimi për shkak të distancave”, - vijoi nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste. Por pavarësisht këtyre pengesave, në emër të Partisë Socialiste Gjiknuri u bëri thirrje qytetarëve pa pasaportë që të aplikojnë sa më parë për t’u pajisur me karta identiteti. “U bëjmë thirrje qytetarëve pa pasaportë të aplikojnë sa më parë në të gjithë vendin dhe të mos dekurajohen nga pengesat e zyrave postare, duke denoncuar në çdo rast pengesat”, - tha ai.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›