E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrin në Tiranë grupi i parë i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet



OSBE-ODIHR-i solli dje grupin e parë të vëzhguesve që do të monitorojnë zgjedhjet parlamentare të qershorit. Grupi i parë, i cili mbërriti në Tiranë, përbëhet nga 30 veta. Grupin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it do e drejtojë britanikja Odri Glover. Vëzhguesit e këtij grupi do të monitorojnë çdo etapë të procesit zgjedhor. OSBE-ODIHR-i do të merret me monitorimin e përgatitjes së procesit zgjedhor. Një detyrë tjetër me të cilën do të merren vëzhguesit e kësaj organizate do të jetë monitorimi i mediave që do të pasqyrojnë fushatën zgjedhore. Këta vëzhgues do të qëndrojnë në Shqipëri deri në përfundim të procesit zgjedhor. Në fund të procesit OSBE-ODIHR-i do të dalë me një raport përfundimtar për ecurinë e procesit. Ndërkohë, për monitorimin e procesit zgjedhor do të vijnë edhe 430 vëzhgues të tjerë. Akreditimi i tyre do të bëhet pak ditë para zgjedhjeve.
Pak ditë më parë edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit akreditoi në KQZ 124 vëzhgues. Numri i vëzhguesve të KSHH-së, që do të monitorojnë zgjedhjet do të shkojë në 150. Kodi Zgjedhor nuk ka përcaktuar numër kufizues për vëzhguesit që do të shërbejnë për monitorim. Këta vëzhgues duhet vetëm të plotësojnë kriteret që përcaktohen në Kod dhe të regjistrohen si vëzhgues në KQZ.
Sot KQZ-ja pritet që të miratojë projekt-vendimin për përbërjen dhe mënyrën e ngritjes së Bordit të Monitorimit të Medias. Sot pritet të miratohet edhe funksionimi dhe procedurat që do të ndjekë Bordi i Monitorimit të Medias. Ky bord do të merret me monitorimin e zbatimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor për fushatën zgjedhore në Radiotelevizionin Publik dhe në ato private. Po sot KQZ-ja do të vendosë për regjistrimin e Partisë së Pensionistëve të Bashkuar të Shqipërisë.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›