E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: “Zyrtarizimi i koalicionit të majtë, çështje ditësh”



Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi se zyrtarizimi i koalicionit me Partinë Socialiste është një çështje teknike. Milo tha se zyrtarizimi i koalicionit të majtë do të institucionalizohet në ditët në vijim. Kryetari i PSD-së foli edhe për programin me të cilën e majta do të futet në zgjedhje. “PDS-ja, me aleatet e saj, do të ketë një program të përbashkët, i cili do të çojë koalicionin e fitores në një bashkëqeverisje të suksesshme menjëherë pas zgjedhjeve”,- tha Milo. Ai u shpreh se do të kërkojë që koalicioni i majtë të ketë një kod etik. Sipas tij, ky kod etik duhet të udhëheqë koalicionin e majtë në fushatën e ardhshme zgjedhore.
Milo e akuzoi kryeministrin Berisha që të mos shfrytëzojë shtetin për fushatën elektorale. Kreu i PDS-së u bëri thirrje organeve të rendit dhe çdo punonjësi policie në veçanti që të mos përdoren e të bien pre e presioneve të Berishës për skenarë të tij të mundshëm ogurzinj për zgjedhjet. Ai kërkoi nga punonjësit e policisë që të jenë sa më profesionalë dhe në lartësinë e detyrës ndaj shtetit dhe qytetarëve si në fushatë, ashtu dhe ditën në zgjedhjeve. Ndërkohë, Partia Demokracia Sociale caktoi edhe drejtuesin e fushatës për qarkun e Tiranës. Komiteti Drejtues i Tiranës, që është forumi më i lartë i PDS-së për këtë qark, miratoi sekretarin Politik të partisë, Artur Duçkallari, të kryesojë ekipin elektoral dhe fushatën e PDS–së në qarkun e Tiranës në zgjedhje. Më 10 maj kongresi elektoral i kësaj force politike do të miratojë programin elektoral të PDS-së si dhe listat e 140 kandidatëve për deputetë që do të garojnë dhe udhëheqin PDS-në drejt arritjes së objektivave të saj ambiciozë në këto zgjedhje. Milo u shpreh se PDS-ja në Parlamentin e ardhshëm mendon të ketë grupin e saj parlamentar.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›