Meta dhe Topalli presin ambasadorin e ri të Federatës Ruse në Shqipëri, Leonid Abramov
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje Leonid Abramov, me rastin e marrjes së detyrës si ambasador i Federatës Ruse në Tiranë. Gjatë këtij takimi Meta e njohu ambasadorin e Federatës Ruse në Tiranë, Leonid Abramov, mbi zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Meta evidentoi vullnetin e qeverisë Shqiptare për forcimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ministri i Punëve të Jashtme më tej u ndal edhe në rolin dhe kontributin e qeverisë shqiptare për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Nga ana e tij, ambasadori i Federatës Ruse, Leonid Abramov, shprehu kënaqësinë për pritjen e rezervuar dhe e njohu Metën mbi angazhimin që qeveria ruse tregon ndaj Shqipërisë si një vend i një rëndësie të veçantë në rajonin e Ballkanit.
Ambasadori i ri i Federatës Ruse në Shqipëri është pritur dje edhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë takimit Topalli shprehu bindjen se diplomacia dypalëshe do të njohë një perspektivë të re, duke theksuar se marrëdhëniet tona duhet të shohin nga e ardhmja. “Parlamenti është baza e marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve”, - tha ambasadori rus. Ai theksoi angazhimin e tij personal për të rritur bashkëpunimin parlamentar mes Dumës Ruse dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se në këtë kohë globalizmi, diplomacia parlamentare është një faktor thelbësor bashkëpunimi duke shprehur interes për koordinimin e një axhendë të shkëmbimeve parlamentare.
17 Prill 2010