Rruga tek Kisha e Shna Ndout, prifiti denoncon abuzimin tek kryeministri
Pikërisht në ditën e pelegrinazhit, ku morën pjesë rreth 150 mijë veta, drejtuesit e kishës së Shna Ndout në Kurbin, kanë denoncuar para kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit abuzimet e bëra me fondet për ndërtimin e rrugës drejt vendit të shenjtë. Akuzat për korrupsion në realizimin e këtij projekti dhe kërcënimet që i janë bërë një prej klerikëve të kishës, i janë adresuar drejtpërdrejt kryeministrit Berisha nga Pater Gazmend Tinaj. Këto deklarata u bënë pikërisht në momentin që kreu i qeverisë po vlerësonte investimin e bërë në rrugën që lidh qytetin e Laçit me vendin e shenjtë. Pater Tinaj, ministër Provinacial i Provincës Françeskane Shqiptare, “Zoja Nunciata” pasi iu ka uruar mirëseardhjen në kishën e Shën Ndout kryeministrit Sali Berisha, kryeparlamentares Jozefina Topalli, ministrit të Transporteve Sokol Olladashi, deputetëve të zonës dhe të ftuarve të tjerë, ka lëshuar deklaratën bombë, pikërisht në momentin që Berisha kishte prerë shiritin e rrugës së financuar nga shteti me vlerë 127 milionë lekësh. Pater Tinaj i është drejtuar kryeministrit Berisha: “Ju keni inauguruar rrugën që lidhë qytetin e Laçit me Kishën e Shën Ndout, një investim që nuk ka përfunduar plotësisht sipas idesë që ishte parashikuar”. Ai tha se ka mungesa në projektin e miratuar me atë të realizuar. “Akoma deri tani nuk është paguar projektuesi i kësaj rruge, nuk janë dëmshpërblyer pronarët që kalon kjo rrugë, mungojnë vendet e parkingut për automjetet”, - tha Tinaj. Më tej kleriku katolik deklaroi: “Duke folur me duar të pastra, mund të them se të gjitha këto kanë ndodhur se kemi një pushtet lokal pak të korruptuar. Sikur të mos ekzistonte ky korrupsion, do ishte kryer një kryevepër e shkëlqyer, për të gjithë pelegrinët që vinë në këtë kishë”, - përfundoi drejtuesi i provincës françeskane. Kjo deklaratë e bërë nga frati françeskan ka befasuar kreun e qeverisë, i cili vizitonte kishën e Shna Ndout pas një sërë prerje shiritash. Fondet për ndërtimin e rrugës janë dhënë që në vitin 2005, por punimet kanë mbaruar vetëm një muaj më parë, duke shkaktuar pakënaqësi drejt drejtuesit e Kishës, por edhe tek qindra e mijëra pelegrinë që vijnë çdo vit në vendin e shenjtë.
Betohen 37 vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes
ELBASAN - Rreth 37 vullnetarë të Korpusit Amerikan të Paqes bënë të premten betimin zyrtar pas përfundimit të trajnimit gjatë një ceremonie të organizuar në teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit, ndërsa duke filluar që sot ata do të punojnë pranë bashkive, organizatave komunitare, shkollave dhe qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Xhon Uidhers, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Drejtori i Korpusit të Paqes në Shqipëri, Hill Denham etj. Ambasadori amerikan Uidhers theksoi se "mes amerikanëve dhe shqiptarëve ekziston një lidhje e fortë, që është e vështirë ta shprehësh në fjalë, është një lidhje që ka rrënjë të thella që në kohën e Presidentit Uillson, e deri në vizitën e Presidentit Xhorxh Bush në Shqipëri një vit më parë". Korpusi i Paqes është themeluar në vitin 1961 nga ish-Presidenti Xhon Kenedi për t'i dhënë shtysë paqes dhe miqësisë në botë. Në Shqipëri ka qenë i pranishëm që nga viti 1992 me një ndërprerje nga viti 1997 deri në vitin 2003.
14 Qershor 2008