Kandidimi në BE, qeveria do të nisë procesin
Kandidimi në BE duket se është prioriteti i qeverisë aktuale tashmë që hyrja në NATO është vetëm çështje procedurash. Kryeministri Sali Berisha e ka bërë të qartë se ky proces do të nisë së shpejti në dy takime të ditës së djeshme, gjatë vizitës në Kavajë dhe në një fjalim në konferencën e në takimin vjetor të përfaqësuesve rezidentë të PNUD-it “Së shpejti, ne do të nisim procesin e kandidimit për në Bashkimin Evropian. Ne shkojmë ballëhapur në Strasburg sepse 26 parlamente të NATO-s, 26 qeveri të NATO-s, kanë votuar duke e cilësuar me fjalët më të mira votën e tyre për Shqipërinë, anëtare të NATO-s. Ne nisim të sigurt procesin e kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sepse 27 vende anëtare të BE-së, për shkak të vlerësimit të reformave tona, kanë votuar në parlamentet dhe qeveritë e tyre Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë”, - u shpreh dje Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë ka shprehur mirënjohje për vlerësimin serioz të vendeve të NATO-s. Duke folur për hyrjen në NATO, ai tha: “Për vendin tim, kjo është arritja më e madhe pas pavarësisë”. Ai vlerësoi se “anëtarësimi në NATO është shumë i rëndësishëm për çdo komb. Për Shqiptarët, të cilët kanë nevojë ta ndërtojnë të ardhmen si komb i lirë, kjo është me rëndësi thelbësore”. Ndërkaq, ai saktësoi se do të nisë së shpejti procesi i kandidimit dhe u shpreh: “Shumë shpejt do t’i marrim seriozisht përpjekjet për plotësimin e kritereve”.