Berisha: Ofrojmë ndryshim me vepra
Më 28 qershor qytetarët shqiptarë do të duhet të bëjnë dallimin mes sloganit “ndryshimi vazhdon” që ofron mazhoranca dhe sloganit “ndryshim” që ofron opozita. Këtë dallim do ta kenë shumë të lehtë sipas Kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa i pari i referohet asaj çfarë është bërë këto 4 vite dhe premtimeve e planeve për 4 vitet e ardhshme, slogani i opozitës nuk afron asgjë, sipas tij. I ndodhur dje për vizitë në Kavajë ai tha: “Unë kam bindjen se mençuria e shqiptarëve është e tillë, që, midis ndryshimit bosh dhe ndryshimit me vepra, ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me rrugë, ndryshimit me mashtrime dhe ndryshimit me ura, shkolla e kopshte, ndryshimit me trillime dhe ndryshimit me paga dhe pensione të larta, ndryshimit me fantazira, anëtarësimit në NATO dhe kandidimit për në Bashkimin Evropian, atij ndryshimi do t’i thonë ndryshkim”. Gjithashtu, ai bëri të qartë se vota nuk do të kërkohet duke trumbetuar arritjet e deritanishme, por duke premtuar më shumë në të ardhmen. “Kjo qeveri nuk ia kërkon askujt votën për këto që ka bërë, por e kërkon votën për ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme”, - theksoi kreu i qeverisë. Vizita e djeshme në Kavajë u bë në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” dhe Kryeministri përuroi me këtë rast rrugën hyrëse në qytetin e Kavajës, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 109 milionë lekë. Rruga, me gjatësi 1.5 kilometër, është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, me katër korsi, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Duke aluduar dhe një herë për sloganin e opozitës ai tha se “atij ndryshimi do t’i thonë kthim mbrapa. Majtas do të thotë kthim mbrapa. Ora e shqiptarëve është orë e djathtë”.
Duke iu drejtuar banorëve të Kavajës, njëkohësisht votuesit e zonës së tij elektorale, Berisha premtoi 24 orë ujë sipas projektit që do të fillojë të zbatohet së shpejti. Ndërkaq, kreu i qeverisë ka përmendur rritjen e pagave dhe pensioneve që do të bëhet realitet vetëm pas një muaji. “Për shkak të klimës financiare dhe ekonomike, vende të tjera po ngrijnë pagat dhe pensionet, ndërsa ne jo vetëm që nuk do t’i ngrijmë, por në datën 1 maj do të bëjmë rritjen më të madhe në krahasim me katër vitet që shkuan. E prekin ndryshimin të gjithë pensionistët e fshatit që me datën 1 maj i shohin të dyfishuara pensionet e tyre”, - bëri të ditur ai. Së fundmi, vizitën e tij e ka shfrytëzuar dhe për t’u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për kartat e identitetit. Sipas Kryeministrit: “Janë dokumente, me të cilat ne do të paraqitemi në kutinë e votimit dhe do t’i tregojmë mbarë Evropës se do të votojmë në mënyrë të qytetëruar dhe do të korrim fitoret që do të meritojmë”. Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioni, z. Sokol Olldashi, drejtues të pushtetit vendor, deputetë të zonës etj.
Qeveria, mbështetje për banorët e pastrehë të Synejt
Gjatë qëndrimit në qytetin e Kavajës, Kryeministri Berisha vizitoi fshatin Synej, për të parë nga afër situatën në këtë fshat, ku dy ditë më parë, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave, u shembën disa shtëpi. Kryeministri Berisha u prit nga kryetari i komunës së Synejit, Përparim Çaça, një grup familjarësh që humbën banesat në këtë ngjarje të rëndë, si dhe nga qindra banorë të tjerë, të cilëve u premtoi se rasteve të tilla do t’u jepet patjetër një zgjidhje. Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në oborrin e banesës së Gëzim Muçës dhe bisedoi me banorët. Nga ana e tyre, banorët e zonës e falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën, si dhe vlerësuan se ndihma e menjëhershme e qeverisë bëri që kjo ngjarje të mos kthehej në një katastrofë të vërtetë dhe të mos humbin jetë njerëzish. Ai i kërkoi kryetarit të komunës që së bashku me autoritetet e tjera të përcaktojë zonën e trojeve të reja ku do të bëhet spostimi i kësaj zone, sepse sipas shefit të qeverisë: “Kjo zonë nuk ka garanci”. Kreu i qeverisë foli për shtresat në nevojë dhe tha se do të bëhet më shumë për t’i ndihmuar ata. “Përsëri në Shqipëri ka qytetarë në mjerim, por ne nuk do të lëmë më qytetarë në mjerim, sepse në mjerim nuk duhet të jetë më askush. Ne i kemi mundësitë që të mos lëmë më njerëz në mjerim. Jemi duke bërë një kuadër të dytë ligjor, për t’u dhënë mbështetje specifike njerëzve në nevojë”, - tha ai.