E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Krimeve të Rënda: 71 vite burg për zhdukjen e imamit të Gostivarit

Për dy të pandehur lihet në fuqi vendimi i parë, për të tjerët ulen vitet e dënimit. Historia e zhdukjes së Irfan Idrizit nga Maqedonia drejt Shqipërisë

Laureta Rryçi

Tiranë - Apeli i Krimeve të Rënda i cilësoi sërish fajtorë të pandehurit që akuzoheshin për rrëmbimin e imamit të Gostivarit. Pjesës më të madhe të të pandehurve, Apeli ia ka ulur masën e dënimit duke lënë të njëjtin vendim të Shkallës së Parë vetëm për Korab Melin dhe Nagip Musliun. Kolegji penal vendosi që Masar Meli nga 17 vite burg që ishte dënuar të vuajë 12; për të pandehurin Korab Meli vendosi dënimin me 15 vjet burgim; për të pandehurin Nagip Musliu dënimin me 13 vjet; për të pandehurin Beqir Shahu dënimin me 10 vjet; për të pandehurin Basri Shahu dënimin me 10 vjet burg dhe për të pandehurin Shkëlqim Palushi dënimin me 11 vjet burg. Sipas akuzës është provuar me dëshmi dhe prova se imami i Gostivarit është mbajtur peng për disa ditë në territorin shqiptar, një herë në një fshat të Krumës dhe më pas në fshatin Bardhoc të Kukësit. Përveç të pandehurve të arrestuar, në këtë pengmarrje janë implikuar edhe një numër jo i vogël personash, të cilët, pas rrëmbimit të imamit Irfan Idrizi, në dhjetor të vitit 2002, kanë dalë në skenë duke u marrë “ndërmjetësve” 500 mijë euro për lirimin e pengut.
Ngjarja
Më 2 dhjetor të vitit 2002, disa persona të paidentifikuar rrëmbyen në Gostivar myftiun e këtij qyteti, Irfan Idrizin. Pas disa ditësh, ata i telefonojnë familjes së tij dhe i kërkojnë, në këmbim të të afërmit të tyre, 500 mijë euro. Por, edhe pse u pagua kjo shumë, pengu nuk u la i lirë. Shuma e marrë nga grupi i pengmarrësve shkoi deri në 1 milion euro.
Zhdukja e imamit të Gostivarit është përfshirë si dosje në drejtësinë shqiptare që në vitin 2003. Fillimisht me këtë çështje u mor Prokuroria e Shkodrës dhe më pas, për shkak të rëndësisë, dosja kaloi për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Menjëherë u prenë fletarrestet për gjashtë persona. Midis tyre edhe një zyrtar i Prokurorisë së Kukësit. Pengu është parë për herë të fundit nga Mezin Bexheti, në një prej kontakteve të tij me pengmarrësit. Që prej asaj dite, askush nuk dëgjoi gjë për vendndodhjen e tij apo nëse ishte gjallë. Në dëshmitë e dy personave nga Gostivari, kushërinj të Irfan Idrizit, përmenden shumë emra personash, në vende të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin Gostivarit, Kosovës dhe Kukësit.
Dëshmitë
Sipas Prokurorisë, dy kushërijtë e Irfan Idrizit, Mezin Bexheti dhe Agim Bilali, kanë qenë dëshmitarët që kanë bërë të mundur zbulimin e të gjithë skandalit të pengmarrjes, që ishte zhvilluar prej kohësh nga qyteti i Gostivarit deri në qytetin e Kukësit. Sipas dëshmisë së tyre, grupi që ka marrë peng Idrizin është i përbërë nga disa persona, disa prej të cilëve punonjës në organin e drejtësisë së qytetit të Kukësit. Dy kushërinjtë janë përballur me personat që i kanë marrë shumat e kërkuara, por që nuk u kanë dhënë në këmbim të afërmin e tyre. Njëri prej tyre tregon se si përfundoi për 12 ditë peng në duart e atyre personave. Sipas dëshmisë së Bexhetit, ka qenë koha e keqe në favor të tij që nuk ka përfunduar në Itali pas dorëzimit të 500 mijë eurove. Bexheti ka qenë i vetmi që ka parë pengun. Sipas tij, 40-vjeçari ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore në kohën kur e ka takuar. Ndërsa Agimi, edhe pse ka pasur shumën e eurove më të madhe për t‘ua dhënë pengmarrësve, nuk ka pasur mundësi të shikojë kushëririn e tij që ishte prej disa muajsh peng.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›