Fieri, qendra e trafikut klandestin, ndalohen edhe 2 fierakë të tjerë
GJIROKASTËR – Fieri është kthyer në një qendër të rrjeteve të trafikut klandestin drejt Greqisë. Pas arrestimit të disa fierakëve për ngjarjen e Butrintit ku gjetën vdekjen 5 persona, si dhe në disa tentativa për trafik emigrantësh ilegalë në shtetin fqinjë përmes pikës së Kakavijës, edhe mëngjesin e djeshëm më parë janë ndaluar dy banorë të tjerë nga Fieri. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se janë arrestuar shtetasit Kovaç Yzeiraj dhe Kahreman Meçaj nga Cakrani i Fierit, pasi akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Arrestimi i tyre është bërë paraditen e së enjtes, rreth orës 10:30, nga specialistët e Policisë së Pikës Kufitare të Kakavijës. Dy orë më parë ata tentuan të kalojnë ilegalisht drejt territorit grek një çift kundrejt 3000 eurove.
Ngjarja
Dy fierakët, Kovaç Yzeiraj dhe Kahreman Meçaj, i kishin premtuar shtetases M. Xh. dhe bashkëshortit të saj se do t’i kalonin në vendin fqinj, pasi nuk ishin të pajisur me viza “Shengen”. Për të bërë të mundur kalimin drejt Greqisë, ata kanë përdorur dokumente të falsifikuara për çiftin. Qytetarja me inicialet M. XH., tentoi të kalonte traun e pikës së kalimit kufitar me pasaportën e bashkëshortes së Yzeirajt. Ndërsa burri i kësaj qytetareje do kalonte kufirin me dokumente të një shtetasi tjetër me ngjashmëri, të cilat i kishte siguruar Meçaj. Të katër këta persona, pasi janë paraqitur në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe kanë dhënë pasaportat për të marrë vulën e daljes, janë ndaluar nga shërbimet e kësaj pike pasi kanë dyshuar në saktësinë e këtyre dokumenteve. Policia e Gjirokastrës nisin punën dhe pas hetimeve, ka bërë dokumentin ligjor të kësaj vepre penale. Çifti, në rast se do të kalonte kufirin do të paguante 1500 euro për secilin. Si provë materiale policia ka sekuestruar dokumentet dhe 4 celularë. Mbi të arrestuarit rëndon akuza e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit”.
Fieri, burim dhe trafik emigrantësh
Rasti i ndalimit të dy fierakëve të përfshirë në trafikun klandestin vjen pas disa ngjarjeve të tjera të ndodhura gjatë dy muajve të fundit. Me dhjetëra banorë nga rrethi i Fierit kanë tentuar të kalojnë drejt Greqisë në mënyrë ilegale. Kjo është bërë e mundur përmes rrjeteve të trafikut me qendër në Fier, por me përhapje edhe në rrethet e tjera. Më 24 tetor u ndaluan 4 emigrantë klandestinë nga ky rreth, në aksin rrugor Përmet-Tre Urat, si dhe u arrestua shtetasi Fitim Shyti, lindur dhe banues në fshatin Krahs të Tepelenës. Ndërsa më 21 tetor u ndaluan edhe 7 fierakë të tjerë, të cilët tentuan të kalojnë drejt Greqisë në mënyrë ilegale, pasi kishin paguar shuma të konsiderueshme parash te një shtetas.
Rasti më tipik është në tentativën për të kaluar drejt Greqisë përmes liqenit të Butrintit më 19 tetor të këtij viti, ku gjetën vdekjen 5 persona të pafajshëm. Mes organizatorëve të rrjetit të trafikut ishin edhe dy fierakë, të cilët janë arrestuar nga policia. Tashmë Fieri nuk është vetëm një pikë transite, por edhe burim i trafikut të organizuar të qenieve njerëzore.
7 Nentor 2008