E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen protestat në Kakome, banorët bllokojnë punimet në fshatin turistik



SARANDË – U duk sikur sipërmarrësit dhe banorët e Kakomesë kishin arritur një marrëveshje disa muaj më parë, por sërish janë rikthyer pakënaqësitë dhe protestat, duke bllokuar punimet e firmës që po realizon projektin. Banorët e Nivicës nuk kanë lejuar hyrjen e makinerive të rënda në Kakome. Ata kanë bllokuar rrugën hyrëse për në këtë zonë, duke u shprehur të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e fshatit. Qindra banorë janë vënë në radhë në krye të rrugës kryesore, të gatshëm të qëndrojnë ashtu derisa firma të tërheqë mjetet e veta. Ndërkohë që kjo e fundit garanton se ka marrë lejen dhe është në kohën e duhur për të nisur punën. Përballë banorëve, që duken të irrituar, janë vënë në radhë forca të shumta të policisë. Për momentin situata duket e qetë dhe sipas burimeve nga vendi i protestës, nuk janë shënuar konfrontime mes palëve.
“Nuk e lejojmë ndërtimin e fshatit, pasi aty kemi pronat tona. Më parë duhet të bëhet një marrëveshje me banorët”, - thonë protestuesit.
Vetëm pak kohë më parë ata propozuan që të jenë bashkëpronarë në ndërtimin e fshatit turistik dhe të kishin një marrëveshje si aksionerë të tij. Në fillim të korrikut të këtij viti, KRRT-ja e qarkut të Vlorës ka miratuar zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë. Këshilli miratoi me shumicë votash, 12 - 3, zgjatjen e lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë. Ky vendim i organit vendimmarrës në fushën e ndërtimeve në shkallë qarku u dha të drejtën kompanive ndërtuese për të zgjatur afatin e lejes ndërtimore, leje e cila ishte kërkuar në Qarkun e Vlorës nga vetë firma. Afati kohor i kësaj lejeje ishte deri në datën 23.6.2007. Deri tani punimet e këtij objekti kanë filluar dhe janë ndërprerë për shkak të problemeve gjyqësore midis investitorit dhe pronarëve të tokës.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›