Arrestohet 52-vjeçari, plagosi shokun për spiunim në Greqi
DEVOLL – Pas disa ditësh një 52-vjeçar është arrestuar pasi akuzohej për plagosjen e bashkëfshatarit të tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se është arrestuar në Devoll shtetasi Zamir Sino, i shpallur në kërkim për “tentative vrasje”. Sino është prangosur pasi tentoi të vrasë bashkëfshatarin e tij Agim Dule. Mes këtyre dy personave kishte lindur një konflikt që nga koha e qëndrimit të tyre në Greqi, ku Sino akuzonte Dulen si spiun. Kjo ka sjellë përplasje të vazhdueshme edhe mes familjeve të tyre. Sipas policisë, anëtarët e familjes Sino dhe Dule disa herë kanë tentuar të vrasin njëri-tjetrin. Blutë e Devollit e kanë prangosur Sinon në shtëpinë e tij. Mbrëmjen e dy ditëve më parë u ndalua gjithashtu edhe Aurel Gjata, 26 vjeç, banor i fshatit Hoçisht në rrethin e Devollit. Mësohet se ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale "plagosje e rëndë me dashje".
Vetëhelmohet një grua nga depresioni, tjetra përfundon në spital
LIBRAZHD - Brenda 24 orëve të fundit, në rrethin e Librazhdit janë regjistruar dy raste të përdorimit të substancave helmuese, ku një grua ka gjetur vdekjen, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Sipas burimeve zyrtare të policisë vendore, rreth orës 10:30 të ditës së djeshme është paraqitur në mjediset e spitalit të qytetit në gjendje të rëndë një grua 46-vjeçare, e cila kishte pirë një lëndë që përdorej për dezinfektimin e prodhimeve bujqësore. Me gjithë ndihmën e dhënë nga personeli mjekësor, gruaja nuk mundi të mbijetojë dhe pas 12 orësh ka ndërruar jetë. Ngjarja tjetër është regjistruar disa orë më vonë. Një 30-vjeçare, nënë e tre fëmijëve është shtruar në gjendje të rëndë në spitalin e Përrenjasit. Burime spitalore pohojnë se ajo kishte pirë një kimikat bujqësor, por ndërhyrja e njërit prej fëmijëve, i cili i ka hequr shishen nga goja gruas 30-vjeçare, ka bërë që ajo të shpëtojë dhe të afërmit e saj ta dërgojnë menjëherë në spital për ti dhënë ndihmën mjekësore. Nga hetimet e bëra, në të dy rastet flitet për tentativë vetëvrasje në kushtet e një depresioni të thellë nga dy femrat.
7 Nentor 2008