Përplaset autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio
Tiranë – Një autobus i linjës Kinostudio-Kombinat është përplasur dje me një makinë, e cila i ka zënë rrugën. Burime policore thanë se automjeti që vinte përballë është përplasur me autobusin e linjës së Kinostudios. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet. Burimet policore thanë se shkak për këtë përplasje është bërë pengimi i rrugës nga një automjet tjetër, i cili ishte në korsinë e kundërt. Mësohet se autobusi gjatë përplasjes ka qenë me pasagjerë, por nuk ka pasur të dëmtuar. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë rrugore, që kryen procedurat e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Si shkak i aksidentit mbetet devijimi i korsisë nga automjeti tjetër, i cili ka bërë që autobusi i linjës së Kinostudios të përplaset me një mur shtëpie. Dëmtimet kanë qenë vetëm materiale në pjesën e përparme të autobusit.
Itali, arrestohen 22 persona për trafik kokaine, mes tyre edhe shqiptarë
22 persona, mes të cilëve italianë, nigerianë dhe shqiptarë, janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Itali. 22 të arrestuarit dyshohen se janë anëtarë të një organizate të specializuar në trafikun e kokainës dhe heroinës. Rreth 100 agjentë të Skuadrës të Lëvizshme të Veronës ekzekutuan 22 urdhërarrestet me burg në Veneto, Lombardi dhe Trentino. Hetimet e policisë italiane kishin nisur në janarin e vitit të kaluar dhe zbuluan se organizata importonte kokainë dhe heroinë që shpërndahej në Italinë e Veriut, deri në 2 kg drogë në javë, duke siguruar një fitim prej disa qindra mijëra eurosh. Sipas hetuesve, më pas këto para transferoheshin në vendet nga vinte kokaina. Organizata, sipas policisë italiane, karakterizohej nga përbërja e shumëllojshme etnike dhe anëtarët e saj punonin si një e tërë dhe jo të ndarë në grupe të tjera, siç ndodh zakonisht në këto raste. Gjatë hetimeve janë identifikuar qindra blerës të kokainës dhe heroinës, të rritur dhe adoleshentë, sa studentë aq dhe punëtorë, të punësuar dhe profesionistë.
Arrestohet çobani, vrau kolegun, e denoncoi ngjarjen si vetëvrasje
Kavajë - Nga oficerët e policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Kavajë përgjatë mbrëmjes së djeshme është kryer arrestimi i shtetasit Arian Grami, 34 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi tri ditë më parë, në fshatin Karpen të Komunës Synej Kavajë, tek ish-rezervati i Peshkimit, ka vrarë shtetasin Kastriot Godole, 26 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Vlorë. Nga hetimi paraprak rezultoi se viktima dhe autori kanë qenë të dy të punësuar si çobanë në një stan dhe se një ditë më parë ata ishin konfliktuar. Më pas, autori kishte bërë njoftimin në Komisariatin e Kavajës duke e paraqitur ngjarjen si vetëvrasje. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, pistoletë tip TT.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Vidhnin makina, ndalohen nga policia dy të rinj
Tiranë - Specialistët e Seksionit të Posaçëm kundër Vjedhjeve kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Luan Tare, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, si dhe të Edmond Koçit, 35 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tyre u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur automjetin tip Benz, me targa të Tiranës, në pronësi të shtetasit A. B., dhe njëkohësisht kanë tentuar të vjedhin automjetin tjetër tip Benz, në pronësi të shtetasit A. L. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një çelësi, që shërbente për hapjen e automjeteve, pincave dhe kaçavidave. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 134 dhe 25 i Kodit Penal.
Bie nga lartësia dhe vdes emigranti shqiptar
Një shqiptar ka gjetur vdekjen në punë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italiane. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Peskaras në Itali dhe sipas raporteve mediatike shqiptari Gerald Meta ka gjetur vdekjen gjatë punës. 23-vjeçari ka rënë nga një lartësi dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur mjekët, zjarrfikësit dhe policia. Këta të fundit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Media italiane bën të ditur se rastet e vdekjeve në punë janë shtuar shumë kohët e fundit.
7 Nentor 2008