Gjykata lë në arrest shtëpie mjekun që akuzohet për ryshfet
Tiranë - Gjykata e Tiranës vendosi dje që shefi i Onkologjikut, Agim Karaj, të mbetet në arrest shtëpie. Mbi të rëndon akuza për marrje ryshfetesh nga pacientët e tij. Ditën e djeshme, mjeku ka lënë qelinë e paraburgimit për t’u njohur zyrtarisht me akuzën ndaj tij. Gjyqtarja e gatshme, pasi u njoh me kërkesën e prokurorit, gjykoi që ndaj mjekut të merrej një masë më e butë duke e rikthyer në shtëpi në gjendje arresti. Burime pranë kësaj Gjykate shpjeguan se mjeku i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij duke hedhur poshtë pretendimet e disa pacientëve që kanë deponuar në prokurori. Pas masës së sigurisë, mjeku është shoqëruar po nga forcat e policisë drejt shtëpisë së tij. Pas këtij vendimi, pranë shtëpisë së tij do të qëndrojë një efektiv policie që do të survejojë nëse mjeku thyen vendimin e gjykatës. Shefi i Klinikës së Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Agim Karaj, do të hetohet për akuzën e korrupsionit, nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës caktoi masën e sigurisë për mjekun Karaj, i cili u arrestua tri ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Plaga e hapur”, pas kallëzimeve se përfitonte ryshfete nga të afërmit e pacientëve, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale. Me cilësinë e provës materiale, atij iu sekuestrua shuma prej 40 mijë lekësh të reja dhe 8000 euro. Kjo çështje po hetohet nga Njësia Task Force, e ngritur në Prokurorinë e Tiranës për luftën kundër korrupsionit.
Policia vë në pranga tre persona të kërkuar
Tiranë - Tre persona të kërkuar janë vënë në prangat e Policisë së Shtetit, pasi ishin të kërkuar për vepra të ndryshme penale. Burimet zyrtare nga ky institucion thanë për agjencinë NOA se në pranga është vënë Ledion Çaçelli, 21 vjeç, lindur në Korçë me akuzën largim pa leje nga ushtria. I riu ishte i kërkuar prej disa kohësh pasi gjykata kishte dhënë një vendim ndaj tij. Gjithashtu është arrestuar dhe Aurel Gjata, 26 vjeç, lindur dhe banues në Devoll, pasi ishte vënë nën akuzën “plagosje e rëndë me dashje”. Në pranga ka rënë dhe Elis Guri, 19 vjeç, lindur në Bletas të Pogradecit, me akuzën për vjedhje. Për të gjithë të arrestuarit, sipas policisë ekzistojnë të gjitha provat që i implikojnë në ngjarjet e dyshuara.
7 Nentor 2008