Apeli i Krimeve të Rënda: Burg përjetë rrëmbyesve të Kastratit
TIRANE - Vëllezërit e akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e ish-kreut të PD-së së Hasit, Behar Kastrati, mjek i spitalit të këtij qyteti, do të kalojë pas hekurave gjithë pjesën e mbetur të jetës. Qamil Rexha, një prej vëllezërve, të cilët në bashkëpunim me Ibrahim Gecin rrëmbyen dhe më pas vranë në vitin 2005 mjekun Behar Kastrati, u dënua dje me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, e cila i dha formë të prerë vendimit për këtë çështje. Në seancën e djeshme Apeli deklaroi fajtor për vrasjen e mjekut edhe vëllanë e tij Abedin Rexhën, i cili u dënua me 25 vjet heqje lirie. Ndërsa për Ibrahim Gecin gjykata dha 20 vjet heqje lirie. Në seancën e djeshme pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, pesëshja gjykuese e Apelit bëri të ditura edhe vendimet përfundimtare. Vendimi i djeshëm la në fuqi vendimin e dhënë për vëllezërit Rexha dhe Gecin nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda më 22 korrik të këtij viti. Tre të pandehurit e kanë pritur me qetësi dje vendimin e gjykatës. Në pretencën e dhënë nga organi i akuzës në seancat e mëparshme ishte kërkuar dënimi i dhënë dje për vëllezërit Rexha, ndërsa 25 vjet burg për Ibrahim Gecin.
Ngjarja për të cilën akuzohen personat e mësipërm ka ndodhur në korrik të vitit 2005. Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Rexha e kanë rrëmbyer Behar Kastratin, i cili ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike në rrethin e Hasit, në bashkëpunim me Ibrahim Gecin. Rrëmbimi është kryer në 7 korrik të këtij viti, 2 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Organi i akuzës pretendonte se rrëmbimi ishte realizuar, ngaqë vëllezërit Rexha e fajësonin mjekun për vdekjen e vëllait të tyre Gani Rexha në vitin 1995, në një ditë kur ai kishte qenë mjek roje. Trupi i pajetë i mjekut u gjet 40 ditë pas rrëmbimit, i lidhur në dy shtylla betoni poshtë urës së fshatit Klosh. ar.ba