Sherr me thika për të dashurën
Dashamir Biçaku
Xhelozia bëhet shkak për një sherr me thika mes adoleshentësh në një lokal në Kamëz, ku ngjarja përfundoi me plagosjen e njërit prej protagonistëve. Pas ngjarjes së ndodhur mes të rinjve në një lokal të zonës, policia e Kamzës arrestoi të dyshuarin me akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë". Sipas burimeve të policisë,, Jeton Korça, i dyshuar për plagosjen është kapur pranë "Zogut të Zi", në tentativë për t'u larguar nga vendi i ngjarjes dhe nga ndjekja e uniformave blu. I plagosuri, Gramoz Leçka, 19 vjeç është dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe sipas mjekëve gjendja e tij paraqitet serioze. Viktima është qëlluar në bark, ku ka pësuar një plagë të rëndë, ndërsa është transportuar me urgjencë në spital. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka mundur të identifikojë autorin e krimit, i cili është shpallur në kërkim dhe më pas është arrestuar. Efektivat blu kanë komunikuar mes tyre për përshkrimin e autorit të plagosjes në lokal, ndërsa një grup specialistësh kanë mbërritur në banesën e autorit për të komunikuar me prindërit dhe për të negociuar me ta për kapjen e të kërkuarit.
Plagosja në lokal
Ngjarja ka ndodhur në një prej lokaleve në qendër të Kamzës, kur Jeton Korça, 19 vjeç, ka goditur me thikë Gramoz Leçkën. Dy protagonistët e ngjarjes, sipas burimeve të policisë janë banorë të qytetit të Kamzës. Ata ishin konfliktuar disa herë mes tyre deri sa të dielën në mbrëmje, Jeton Korça ka goditur me thikë Gramoz Leçkën duke acaruar situatën mes tyre. Shkak për ngjarjen sipas burimeve të policisë mësohet të jetë bërë një konflikt xhelozie mes Jeton Korçës dhe të plagosurit Gramoz Leçka, kundrejt një vajze të pretenduar prej të dyve. Nga deklarimet që policia mori prej dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, u mësua se dy të rinjtë kishin debatuar mes tyre për të dashurën e Jeton Korçës. Pas shkëmbimit të disa fjalëve në lokal për pak minuta, Jeton Korça, ka nxjerrë një thikë që e kishte marrë në shtëpi dhe ka qëlluar një herë në trup Gramoz Leçkën. Sipas pretendimit të autorit të krimit gjatë dëshmisë së dhënë në polici, Gramozi Leçka kishte ngacmuar të dashurën e tij disa herë. Këtë veprim sipas të dyshuarit, i plagosuri e kishte përsëritur disa herë, çka kishte bërë të padurueshme situatën duke shkaktuar edhe reagimin e tij të dhunshëm. Për këtë shkak sipas 19-vjeçarit, ai kishte qëlluar me thikë bashkëmoshatarin pasi nuk kishte gjetur zgjidhje tjetër. Krerët e policisë së Kamzës, kanë arritur të komunikojnë me babanë e autorit të plagosjes për të negociuar me të, rreth vetëdorëzimit të 19-vjeçarit. Ai ka pranuar të dorëzohet falë negocimit të policisë, ndërsa arrestimi është bërë pranë "Zogut të Zi".