Burg përjetë vrasësve të anglezit
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Burg përjetë dy vrasësve të anglezit. Gjykata e Lezhës dha dje dënimin maksimal për Arlind Vukajn dhe Marjo Pjetrushin, të cilët më 2 shkurt 2008 masakruan 21-vjeçarin britanik, Eduard Craythorne. Gjykata shpalli fajtor djemtë 20 dhe 19-vjeçarë, duke dhënë të njëjtën masë dënimi që kërkoi pretenca një seancë më parë. Me akuzat e "vrasjes me paramendim dhe në rrethana rënduese, fshehje të krimit në bashkëpunim", Vukaj dhe Pjetri do të vuajnë dënimin në një nga burgjet e sigurisë së lartë. Gjykata pushoi akuzën e "fshehjes apo të asgjësimit të kufomës". Gjithsesi, vendimi maksimal duket se ngushëlloi familjen britanike, e cila ishte e pranishme në sallë. Përballë dy të akuzuarve, nëna dhe motra e 21-vjeçarit Eduard Craythorne e pritën të përlotura vendimin. Që pas ngjarjes ato i kërkuan drejtësisë shqiptare të jepte dënimin e merituar për "shokët" e djalit të tyre, i cili u masakrua barbarisht prej tyre e më pas e hodhën në një pus uji të një shtëpie të braktisur në malet e Shëngjinit. Të akuzuarit e pritën të qetë vendimin e gjykatës. Ndërsa nuk munguan lotët e familjarëve, të cilët ende nuk duan të besojnë se bijtë e tyre arritën të kryejnë një krim të një përmase të tillë. Babai i Marjo Pjetrushit, i cili kishte edhe hyrje e dalje me familjen angleze, jashtë sallës ku u dha vendimi, pohoi se këtë ngjarje ia kishte lënë në dorë drejtësisë. Megjithatë, ai aludoi disi në pozitën e të birit në lidhje me krimin, pasi vetëm pak minuta para se gjykatësja të lexonte vendimin, Marjo Pjetrushi hoqi përgjegjësinë e vrasjes. Ndonëse më parë ai kishte pranuar autorësinë, dje ai akuzoi shokun e tij, Arlind Vukaj për fshehje të krimit. "Arlind Vukaj dhe të tjerë që ai e di se kush janë kanë gisht në këtë vrasje", u shpreh 19-vjeçari përtej hekurave në bankën e të akuzuarve duke kërkuar pafajësi. Dëshmia e tij dha kështu një tjetër të dhënë të dyshimtë se të tjerë persona mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. "Djali im u shpreh se nuk ka gisht në vrasjen e Eduard Craythorne. Por unë përsëri ia kam lënë këtë punë drejtësisë", u shpreh babai i Pjetrushit. Vitin e kaluar, dy të pandehurit dhe viktima dolën shëtitje. Ata kishin vendosur të konsumonin lëndë narkotike. "Nëse policia na kap, dënohemi 20 vite burg". Me këtë argument e kanë tërhequr drejt pyllit 21-vjeçarin britanik autorët, duke dashur ta çonin sa më larg për ta grabitur dhe më pas për ta vrarë. Në bazë të hetimit rezultoi se, pasi kanë udhëtuar një orë, kur janë afruar te pusi i një banese të braktisur, Marjo i ka tërhequr vëmendjen Eduardit, ndërsa Arlindi me një sopatë e ka qëlluar nga pas koke. Kur ai ka dhënë shpirt i kanë marrë varësen e floririt dhe e kanë kontrolluar imtësisht për t'i gjetur kartën e kreditit. Pasi i morën të gjitha sendet që kishte me vete, ata e hodhën viktimën në një pus uji. Britaniku i zhdukur u gjet disa ditë pas krimit, ndërsa policia pas hetimeve arrestoi si të dyshuar për këtë krim shokët e tij.