E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Këtë vit nis rruga Elbasan-Tiranë

Berisha tha se trajtimi, pagat dhe trajnimi i mësuesve janë shtyllë e reformës që po ndërmerr qeveria në arsim

Nga 2 miliardë lekë investime të qeverisë në Elbasan, vetëm 15% janë likuiduar. Shumë firma janë tërhequr

ELBASAN - Kryeministri Sali Berisha premtoi dje në Elbasan ndërtimin e 1000 shkollave në të gjithë vendin, si dhe ndërtimin e rrugës Elbasan-Tiranë me tunel. Madje, për këtë të fundit është premtuar fillimi i punimeve gjatë këtij viti.

Këto deklarata kreu i qeverisë i dha gjatë përurimit të shkollës "Qamil Guranjaku", ndërsa u shpreh se në vitet në vazhdim zotimi ishte Shqipëria në moshën digjitale. "I garantoj mësuesit e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë se edhe gjatë këtyre katër viteve ata do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit.

Trajtimi i tyre, pagat dhe trajnimi i tyre përbëjnë shtyllën më kryesore të reformës në arsim". Ndërkohë, mësohet se reforma më e fundit në arsim e ndërmarrë nga qeveria shqiptare do të shkurtojë në Elbasan 110 vende pune për mësuesit me kontratë.

Sipas drejtorisë arsimore, kjo gjë bëhet për shkak se ka shumë mësues, ndërsa këta të fundit shprehen se tashmë çdo mësues do të ketë mbingarkesë për faktin se ata do të bëjnë edhe punën e ish-kolegëve.

Vetë Kryeministri nënvizoi se për një komb nuk ka gjë më serioze se arsimi. Berisha tha se "numri i nxënësve për mësues është ulur dhe do të vazhdojë të ulet".

Më pas, Kryeministri informoi qytetarët elbasanas se projekti i rrugës Elbasan-Tiranë tashmë ka përfunduar. "Ju drejtohem me një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Elbasanit, qytetarëve të jugut dhe juglindjes së Shqipërisë, si dhe t'i informoj ata se projekti për autostradën Tiranë - Elbasan ka përfunduar.

Gjithashtu, dua t'i informoj se brenda këtij viti, qeveria do të nisë ndërtimin e kësaj autostrade dhe se ky projekt, me tunelin e tij, shkurton në mënyrë të ndjeshme jo vetëm distancën Elbasan - Tiranë, por edhe distancën Korçë - Tiranë, Berat - Tiranë dhe Tepelenë - Tiranë. Pas rrugës së Arbrit, autostrada Tiranë - Elbasan do të jetë një nga projektet më madhore të qeverisë sonë gjatë këtyre viteve.

Ne jemi të vendosur që Shqipëria e vitit 2013 të jetë një Shqipëri krejt tjetër, ku shqiptarët nga të katër anët e vendit të lëvizin në një kohë dy herë më të shkurtër për të mbërritur në kryeqytetin e tyre", - tha Berisha.

Nga ana tjetër, vetëm pak kohë më parë, kreu i dhomës së tregtisë në Elbasan u shpreh se nga 2 miliardë lekë investime në këtë qytet, qeveria kishte shlyer vetëm 15% të tyre, çka ka bërë që shumë firma t'i tërheqin mjetet e tyre duke i lënë rrugët në gjendje më të keqe sesa në fillim.

Shoqatat e ndërtuesve janë ankuar për moslikujdim të parave që ata duhet të marrin për punimet e kryera, ndërsa bëhet e ditur se janë me miliona euro që qeveria shqiptare ua ka borxh.

Gjithashtu, mësohet se për rrugën Elbasan - Tiranë, zbatimi i projektit për të cilin pritet t'i kalojë 200 milionë eurot, qeveria mund të marrë një kredi të butë, e cila gjithsesi vijon të shtojë borxhin në buxhetin e shtetit shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›