E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: ”Politika e vjetër u mund me vota në Këshillin Bashkiak”



Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka reaguar ndaj akuzave politike që janë bërë për rrëzimin e votimit të buxhetit. Ai e ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, si penguesit kryesorë që kërkojnë të bllokojnë projektet e shumta për zhvillimin e kryeqytetit nëpërmjet kërkesës së pezullimit të votimit që u bë në Këshillin Bashkiak. “Pasi politika e tyre e vjetër e bllokimit dhe e rrëmujës u mund nga një koalicion qytetar në Këshillin Bashkiak, që votoi dhe miratoi buxhetin, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë sërish bashkë, por tashmë për të mos e njohur votimin e për ta bllokuar buxhetin me dhunë. Të dy bashkë, dje, me të njëjtën gjuhë e me të njëjtat pseudoargumente, dhanë një tjetër shfaqje të bashkimit të tyre, kundër interesave të qytetarëve, kundër të ardhmes së kryeqytetit”, - u shpreh Shalsi. Buxheti u miratua disa ditë më parë, me 29 vota pro, nga të cilat 22 janë dhënë nga anëtarët socialistë dhe të PSD-së dhe 7 vota të tjera nga partitë e vogla. Votimi është shpallur i vlefshëm nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, i cili e ka konsideruar të pavlefshëm votimin. Kreu i Bashkisë e cilësoi si një sulm politik për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe punën e Bashkisë. Nga dita e votimit të buxhetit të Tiranës nuk është kryer ende asnjë procedurë ligjore për t’i hapur rrugë lëvrimit të fondeve të parashikuara. Tashmë pritet firma e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, dhe prefektit të Qarkut të Tiranës, Ruzhdi Keçi, për t’i hapur rrugë lëvrimit të fondeve.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›