E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi i gripit. Mjekët: Shkurti dhe marsi, më të rrezikshëm për shëndetin

Specialistët japin alarmin për prag epidemie ndaj gripit. Arsyet e përhapjes së virusit, shifrat kanë arritur deri në 11 mijë pacientë në javë

Emanuela Sako

Muajt shkurt dhe mars pritet të shënojnë numrin më të lartë të të prekurve nga virusi i gripit. Specialistët japin alarmin se vendi po preket nga një situatë e rëndë gripale, ku virusi nuk do të kursejë asnjë grupmoshë. Ndërkohë që gjatë fillimit të këtij muaji është ndjerë rritje e lartë e numrit të qytetarëve që janë prekur nga gripi krahasuar me një vit më parë. Specialistët japin këshilla për t’u ruajtur nga virusi, por pa mundur të japin një mënyrë të qartë për ta parandaluar atë. Sipas tyre, në këtë periudhë qytetarët duhet të shmangin ambientet publike, duhet të vishen më trashë, duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe duhet të drejtohen tek mjeku që në fazat e para të shfaqjes.
Numri i të prekurve ka arritur mbi 11 mijë në persona në javë, ndërsa një pjesë tjetër kurohen në shtëpi. Ndërkohë që në Pediatrinë e Tiranës numri i pacientëve të vegjël, të prekur, arrin deri në 250 persona çdo ditë.
Vaksina
Vaksina antigrip rezulton joefektive për një pjesë të madhe të qytetarëve që kanë marrë dozën në kohën e duhur. Specialistët e Spitalit të Pediatrisë shprehen se vaksina nuk ka dhënë efektin e duhur te qytetarët që kanë kryer vaksinimin sipas udhëzimeve të specialistëve. Mjekët deklarojnë se pranë spitaleve apo poliklinikave të lagjeve drejtohen qytetarë që janë të prekur nga virozat e stinës, ndërkohë që ata pohojnë se kanë kryer vaksinimin. Mjekët bëjnë të ditur se raste të tilla janë paraqitur shumë dhe sidomos në Pediatri. Pak ditë më parë, specialistët e ISHP-së sqaruan se vaksina antigrip mbron nga tre grupe virusesh, ndërsa në qarkullim ka disa lloje virusesh gripale. Sipas tyre, ata që kanë kryer vaksinën antigrip vuajnë nga një prekje më e lehtë e gripit krahasuar me personat e tjerë që nuk kanë marrë vaksinën ose nuk e kanë kryer atë në kohën e duhur. Aktualisht, në të gjithë vendin rezultojnë se ka rreth 40 mijë persona të prekur nga virozat e stinës. Këtë vit, numri i qytetarëve dhe fëmijëve që kanë kryer vaksinën kundër virusit të gripit është më i lartë se sa vitin e kaluar. Por, nga ana tjetër, edhe numri i të prekurve nga virozat për këtë vit është më i lartë se ai i vitit të kaluar. Specialistët bëjnë të ditur se muaji mars do të shënojë dhe numrin më të madh të pacientëve të prekur nga virusi i gripit.
Numri
Numri i të prekurve nga virusi i gripit vjen duke u shtuar nga dita në ditë. Shifrat e larta japin alarmin për një epidemi gripale, ku simptomat e para janë tashmë janë dhënë. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i të sëmurëve po shkon në 10-11 mijë të sëmurë në javë. Ndërkohë që sipas specialistëve, mendohet se numri i personave të prekur është shumë herë më i lartë, pasi një pjesë e madhe e pacientëve kurohen në shtëpi dhe nuk i drejtohen qendrave shëndetësore.
Simptomat e gripit janë temperaturë e lartë deri në bllokim të frymëmarrjes, ku në shumicën e rasteve kalon deri në ftohje të fortë. Specialistët shprehen se çdo infeksion viral stimulon zhvillimin e një infeksion bakterial dhe në këtë rast sëmundja kalon në ftohje. Ndërkohë që në qarkullim ka disa viruse gripale, për të cilat vaksina antigrip është pothuajse e pavlefshme.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›