UNICEF-i, projekt me nxënësit e shkollave për riciklimin e mbetjeve plastike
UNICEF-i ka nisur një projekt, që synon të mbajë pastër ambientin nëpërmjet riciklimit të mbetjeve plastike. “My ABC, My Albania Clean and beautiful” është iniciativa më e re që ka marrë përsipër zyra e UNICEF-it në Shqipëri, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Tiranë. Në këtë projekt do të mobilizohen 40 shkolla, ku do të marrin pjesë mbi 13 mijë fëmijë në të gjithë vendin. Një ndër synimet kryesore për projektin është që të ndryshojë sjelljen e fëmijëve ndaj mbetjeve plastike, riciklimit dhe ruajtjes së një mjedisi sa më të shëndetshëm.
Një çështje tjetër kryesore është që të mobilizojë fëmijët e shkollave fillore e t’i kthejë ata në agjentë të promovimit dhe mbajtjes së një mjedisi të pastër. Projekti bazohet në objektivin për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe të sigurojë të drejtën e tyre për standarde të larta të kushteve mjedisore në Shqipëri, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm mjedisor të vendit tonë. Shkollat e përfshira në këtë projekt në Tiranë dhe disa rrethe të tjera do të pajisen me nga një kosh të ri, ku çdo të hënë, nxënësit do të sjellin materiale plastike, qese e mbetje të tjera të padegraduara. Nëpërmjet këtij veprimi, ata do të ndikojnë edhe në sjelljen e prindërve, mësuesve dhe të gjithë komuniteti për pastrimin e mjedisit nga këto mbetje të rrezikshme. Veprimet e tyre do të nxisin biznesin dhe pushtetin lokal të mobilizohet më tepër në sigurimin dhe mbajtjen e një mjedisi të shëndetshëm. Zbatimi i projektit mbështetet nga Ambasada Holandeze në Tiranë dhe do të merret përsipër nga grupimi mjedisor Ekolëvizja, e cila do të merret edhe me aktivitetet promovuese për një Shqipëri më të bukur e më të pastër për të gjithë fëmijët. Projekti do të zgjasë për një periudhë kohore prej 18 muajsh dhe do të shtrihet edhe përtej 40 shkollave në rrethet Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Korçë.
10 Shkurt 2009