Mandatet, bllokohen 6 qarqe
adi shkembi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i jep fund procesit të ankimimeve të partive politike që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Pas zbardhjes së vendimeve të saj, forcat politike do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor si shkalla e fundit ligjore, ku do të paraqesin pretendimet e tyre. Por shpallja e mandateve nga KQZ do të ngelet peng i shqyrtimit të ankimimeve në Kolegj.
Ankimimet
Në një periudhë prej shtatë ditësh, KQZ-ja shqyrtoi 15 kërkesa, kryesisht të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për disa prej qarqeve kryesore të vendit, por edhe të forcave të tjera politike. Kështu numrin më të madh të kërkesave e ka pasur Partia Socialiste, e cila brenda kësaj periudhe ka ankimuar rezultatin përfundimtar në qarkun e Beratit e Fierit, ndërkohë që pritet ta bëje këtë edhe për Tiranën, zona elektorale nga të cilat dalin 56 deputetë. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka ankimuar qarkun e Fierit, dhe Shkodrës. Në këtë qark demokratët kanë fituar ndaj PS-së, por kanë pretenduar parregullsi gjatë procesit të votimi. Por veç dy forcave kryesore, rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit e kanë ankimuar edhe disa forca të tjera të vogla. Kështu, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ankimuan rezultatin përfundimtar në qarkun e Tiranës, por kërkesa e tyre u hodh poshtë. Në të njëjtën kohë anëtarët e KQZ-së rrëzuan kërkesën e Partisë Demokristiane, për rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarkun e Shkodrës. “Sot, më datë 16 korrik, KQZ-ja i ka dhënë fund shqyrtimit të të gjitha kërkesave ankimore që u paraqitën nga subjektet e ndryshme politike. Shqyrtimit të kërkesave ankimore i parapriu, në fakt, përmbyllja e tabelave të rezultateve, për të gjitha ZAZ-të e 12 qarqeve. Në këtë kontekst, KQZ-ja ka hartuar tabelat përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet dhe mbetet në pritje të së drejtës së palëve për të paraqitur më tej pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor”, tha dje zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, gjatë një konference për shtyp.
Mandatet
Deri tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur mandatet zyrtarisht në gjashtë qarqe elektorale. Emrat e deputetëve të Kuvendit të ri janë bërë të ditur në qarkun e Elbasanit, Kukësit, Korçës, Gjirokastrës, Dibrës dhe Vlorës. Gjashtë qarqet e tjerë do të ngelen peng i vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Nëse forcat politike nuk ankimojnë rezultatin e shpallur nga KQZ-ja, kjo e fundit duhet të shpallë emrat e deputetëve brenda pesë ditëve, ndërsa kur vendimi i KQZ-së apelohet në Kolegj, institucioni i administrimit të zgjedhjeve pret verdiktin e organit më të lartë. “Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore”, thuhet në pikën 2 të nenit 162 të Kodit Zgjedhor. Pas hapësirës që i jep Kodi Zgjedhor për të shpallur mandatet, rezulton që qarqet e Tiranës, Shkodrës, Lezhës, Beratit dhe Fierit duhet të presin edhe disa ditë përpara se të publikohen emrat zyrtarë. Në deklarimin e tij për gazetarët, zëdhënësi Olli tha se deri tani KQZ-ja ka përfunduar shpërndarjen e mandateve në gjashtë qarqe dhe deri në këtë moment janë mandatuar numerikisht dhe nominalisht 53 deputetë, ose rreth 40% e totalit të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, që në rang vendi, në përfundim të procesit ankimor në KQZ, rezultatet për çdo koalicion janë: “Aleanca e Ndryshimit”, 70 mandate, “Aleanca Socialiste për Integrim” 4 mandate dhe “Bashkimi për Ndryshim” 66 mandate.
deputetët e shpallur
QARKU KUKES
Partia Demokratike
Flamur Noka
Besnik Dushaj
Fatos Hoxha
Partia Socialiste
Asllan Dogjani
QARKU DIBER
Partia Demokratike
Jemin Gjana
Sherefedin Shehu
Bedri Hoxha
Selami Xhepa
Partia Socialiste
Sadro Abazi
Qemal Minxhozi
QARKU VLORE
Partia Demokratike
Astrit Patozi
Ardian Kollozi
Leonard Demi
Kreshnik Çipi
Partia Socialiste
Arben Isaraj
Luiza Xhuvani
Arben Malaj
Shpëtim Idrizi
Eltar Deda
Fatmir Toçi
Partia për Drejtësi dhe Integrim
Dashamir Tahiri
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Vangjel Dule
QARKU KORÇE
Partia Demokratike
Ridvan Bode
Gjergj Papa
Ledina Aliolli
Edmond Spaho
Fatbardh Kadilli
Ismail Hoxha
Partia Socialiste
Ben Blushi
Pandeli Majko
Mimi Kodheli
Alfred Dalipi
Arben Ahmetaj
Olta Xhaçka
QARKU GJIROKASTER
Partia Demokratike
Genc Ruli
Spiro Ksera
Partia Socialiste
Arta Dade
Ethem Ruka
Vangjel Tavo
QARKU ELBASAN
Partia Demokratike
Lulzim Basha
Ardian Turku
Ardiana Gjoni
Rahim Çota
Dashnor Sula
Luçiano Boçi
Subi Hida
Partia Socialiste
Valentina Leskaj
Ilir Bejtja
Shegush Ligori
Taulant Balla
Damian Gjiknuri
Agim Leka
Skënder Hasa