Fieri, PD kërcënon me zgjedhje të reja
adi shkembi
Partia Demokratike mund të kërkojë ripërsëritjen e zgje-dhjeve në të gjithë qarkun e Fierit. Në përfundim të mbylljes së ankimimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dy partitë e mëdha i janë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, hallkës së fundit për të çuar në vend pretendimet e tyre.
PD
Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se kjo forcë do të ankimojë rezultatin përfundimtar të qarkut të Fierit dhe Shkodrës. Ankimi i Fierit duket se do ti shërbejë PD-së për ti paraprirë çdo të papriture që mund të dalë nga ankimimi i PS-së për Beratin. Një grup juristësh pranë kësaj partie janë duke punuar mbi kërkesën që do t’i çohet kolegjit, ku nuk përjashtohet mundësia e pretendimit për ribërjen e zgjedhjeve në të gjithë qarkun me 16 deputetë. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, renditi një sërë faktesh që mund të jenë pjesë e kërkesës së PD-së. “Janë disa elementë që duhen koordinuar bashkë. Një element është pavlefshmëria e këtyre tri qendrave që mbeti pa u zgjidhur, një element tjetër është kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së, Shtjefni dhe Hysenaj, që kërkuan rivlerësimin e të gjithë Fierit, një element tjetër është një vendim i mëparshëm që ka të bëjë me dy qendra votimi 3185 dhe 3188, që u kërkua për t’u rinumëruar, por që unë bëra një kërkesë më mbrapa që të shpallen të pavlefshme, sepse u hapën në mënyrë të jashtëligjshme”, theksoi Kosovrasti. Por për ripërsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë qarkun, do të duhet që të shpallen të pavlefshme qendrat e votimit që të kenë të paktën rreth 10 mijë zgjedhës, për shkak të një detyrimi të kodit, i cili në nenin 161 thekson se “do të konsiderohet ndikim në ndarjen e mandateve për zgjedhjet në Kuvend, kur numri i zgjedhëse që kanë votuar apo mund të kishin votuar në qendrën apo qendrat e votimit të shpallura të pavlefshme, është i barabartë ose më i madh se numri i zgjedhësve të nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore përkatëse”. Gjithashtu PD-ja pritet të ankimojë edhe qarkun e Shkodrës, jo për të kërkuar mandat tjetër më shumë se sa për të përfshirë një qendër votimi në rezultatin përfundimtar që u rrëzua në KQZ.
PS
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka ankimuar vendimin e KQZ-së për sa i përket qarkut të Beratit, ku pretendon mandatin e pestë nga numri i madh i fletëve të votimit që janë shpallur të pavlefshme. “Ne do të ankimojmë të gjitha këto vendime të paligjshme të KQZ-së, sidomos ato vendime që u morën ditët e fundit dhe që kanë të bëjnë me qarqet e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Pra, nxjerrja e vendimeve plotësisht në kundërshtim me ligjin, refuzimi pa asnjë shkak ligjor i kërkesës së dy anëtarëve për rinumërimin e qendrave të caktuara të votimit”, u shpreh Damjan Gjiknuri. Në të njëjtën kohë, sipas tij, do të ankimohet edhe nxjerrja e pavlefshme e komunës Ruzhdie në Fier. “Kemi paraqitur dhe ankesën për qarkun e Fierit, për ndryshimin e tabelës së rezultatit. Kjo jo se do të ndryshojë ndonjë gjë, por duam që të nxjerrim të pavlefshme ato vota që KQZ i llogariti si të vlefshme. Pra, bëhet fjalë për ato vota që kanë vetëm një vulë prapa fletës së votimit, gjë që është në kundërshtim të hapur me ligjin”, tha më tej Gjiknuri.
Fieri, ankesa nga PD dhe PS në Kolegj
Rezultati përfundimtar i qarkut të Fierit pritet të ankimohet si nga PD-ja ashtu edhe nga Partia Socialiste. Demokratët pretendojnë të marrin mandatin e shtatë në këtë qark nëpërmjet dy formave, rinumërimit dhe rivlerësimit të votave në të gjithë qarkun, duke pasur parasysh se i duhen vetëm 157 vota për të fituar mandatin, ndërkohë që janë mbi 3 mijë vota të pavlefshme si dhe ribërjen e zgjedhjeve nga e para në këtë qark. Nga ana tjetër, socialistët kanë ankimuar rezultatin e Fierit për të shpallur të pavlefshme kutinë e votimit në komunën Ruzhdie, ku të gjitha votat ishin me vetëm një vulë, dhe që u pranua nga KQZ-ja si e rregullt dhe që kishte rreth 400 vota për PD-në dhe 50 vota për PS-në. Pranimi i kërkesës së PS-së nuk do të ndryshonte asgjë për sa i përket mandateve të deritanishme. Nga zgjedhjet e 28 qershorit rezultoi se PS ka marrë 9 mandate, PD 6 dhe LSI 1 mandat.