Apeli i Lëvit: Lëreni politikën jashtë futbollit
Trajneri i Gjermanisë ul tensionin në prag të çerekfinales së Europianit ndaj Greqisë: Është thjesht një ndeshje futbolli.
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka thënë dje se nuk ka ndër mend të futet në diskutimet politike në lidhje me përballjen e skuadrës së tij kundër Greqisë në çerekfinale të Euro 2012, duke thënë se për të ishte thjesht një ndeshje normale futbolli.
Kjo ndeshje, e cila është cilësuar nga mediat e të dy vendeve si përballja e eurozonës, do të vërë përballë fëmijën problematik të eurozonës dhe bosin e pasur.
“Kancelarja Merkel dhe ne kemi një raport të mirë dhe një marrëveshje, që ajo të mos më këshillojë mua për formacionin dhe as unë atë për politikën, ka thënë dje Lëv. “Është thjesht një ndeshje çerekfinale kundër Greqisë dhe asgjë tjetër, ka thënë Lëv.
Merkel është një personalitet aspak popullor në Greqi për shkak të parimeve shumë të forta të kursimeve që i ka vendosur Greqisë për ta nxjerrë nga borxhet. Lojtarët grekë të hënën kanë refuzuar të flasin për politikë në lidhje me ndeshjen e ardhshme kundër Gjermanisë.
Megjithatë, Lëv nuk ka hezituar të komentojë për organizatorin e Greqisë, Giorgos Karagunis, që nuk do të luajë për shkak të kartonëve. Karagunis ishte autori i golit të vetëm kundër Rusisë. “Mendoj se ai është lojtari që ka më shumë ide në përfaqësuesen greke vitet e fundit.
Ai është lidhja mes mbrojtjes dhe sulmuese dhe për Greqinë është një mungesë e dhimbshme.” Gjermania u kualifikua në çerekfinale pasi zuri vendin e parë në Grupin B me performancën më të mirë në grup në një Europian pasi i fitoi të tria ndeshjet, kurse Greqia shtangu Rusinë 1-0 në ndeshjen e fundit në grup dhe u kualifikua si skuadra e vendit të dytë pas Çekisë.
“Greqia nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë, ka thënë qendërmbrojtësi gjerman Holger Badshtyber. Ata do të mbrohen me shumë forca, por pa dyshim që do të kenë menduar edhe për sulmin. Duhet të jemi të fokusuar dhe të mos e marrim këtë ndeshje si të lehtë thjesht sepse është Greqia, një kundërshtar në letër i lehtë.”
Skuadra e Lëvit u stërvit dje pa Mesut Ozilin, Bastian Shvajnshtaigerin dhe Lars Benderin, sepse të gjithë kanë pësuar dëmtime të lehta pas fitores 2-1 kundër Danimarkës të dielën. “Nuk janë stërvitur thjesht për ti ruajtur, por janë mirë fizikisht, ka thënë trajneri 52-vjeçar.
Ozil, lojtar kyç në formacion edhe në Kupën e Botës 2010, por në këtë turne ende nuk ka shkëlqyer si duhet, ndonëse Lëv është i bindur se do të vijë edhe dita e tij. “Ky turne do të shohë edhe shpërthimin e Ozilit. Ashtu si në Afrikën e Jugut, pas fazës së grupeve, ka thënë Lëv.