Holanda, lojtarët mbështesin trajnerin Van Marvijk
Futbollistët nuk janë dakord se trajneri është fajtori kryesor për dështimin e tulipanëve në Euro 2012: Përgjegjësia është e të gjithëve, siç ishte merita e të gjithëve në Botëror.
Performanca më e dobët e Holandës në një turne madhor ka minuar qëndrimin e trajnerit Bert van Marvijk, por lojtarët e tij që morën pjesë në Euro 2012 e kanë përkrahur atë, pavarësisht thirrjeve të tifozëve dhe mediave për një fillim të ri.
Finalistët e Botërorit 2010 u rikthyen në shtëpi, pasi humbën të 3 ndeshjet e tyre në grupin B, një performancë e ngjashme me atë të Republikës së Irlandës deri tani, ndaj Danimarkës, Gjermanisë dhe Portugalisë.
Skuadra e turpëruar e tyre, e cila mbërriti në Amsterdam të hënën në mbrëmje, është e lirë të ndjekë diskutimin kombëtar rreth asaj se çfarë duhet të ndodhë në ekip dhe në lidhje me trajnerin Van Marvijk. Mesfushori Uezli Shnejder, i cili pritet të bëhet kapiteni i ekipit, teksa 35-vjeçari Mark van Bomel do të tërhiqet nga ekipi kombëtar, ishte i pari që doli në krah të trajnerit të kritikuar.
Nuk mund të fajësojmë trajnerin për këtë, ai ka bërë një punë të madhe për ne gjatë 4 viteve të fundit, tha Shnejder. Por, ka disa probleme në skuadër, të cilat duhen zgjidhur fillimisht, si për shembull lojtari që do të dalë në konferencë për shtyp, për të bërë të ditur planet tona taktike përpara ndeshjeve.
60-vjeçari Van Marvijk, i nderuar nga Mbretëresha Beatriks pasi Holanda arriti finalen e Botërorit 2010, ka ende 4 vite të mbetura në kontratën e tij, e cila u rinovua vitin e kaluar. Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) u duk e bindur se ai ishte njeriu i duhur për të rinovuar ekipin gjatë Europianit dhe Botërorit 2014.
Por, pas dështimit të tyre në Ukrainë, media holandeze është e bindur gjithashtu se nuk ka më të ardhme për Van Marvijk, si trajner i kombëtares. Ndërkohë që shtypi dhe tifozët fajësojnë trajnerin konservativ, i cili e ka ndryshuar rrënjësisht ekipin e tij në 2 vite, KNVB-ja dhe disa lojtarë i kanë ofruar atij mbështetje.
Sulmuesit Robin van Persi dhe Arjen Roben ishin më pak produktiv, pas një sezoni zhgënjyes për të dy ata. Në rastin e Van Persit, i cili nuk ka shfaqur gjë që prej Lojtarit të Vitit në Angli, ai nuk ka folur për mediat gjatë përgatitjeve për turneun, apo gjatë tij.
Roben, i cili nuk arriti kurrë në nivelet e performancave të shfaqura 2 vite më parë në Botëror, foli shumë pak rreth çështjeve të brendshme në skuadër, pa treguar se çfarë ndodhi realisht.
Perceptimi i medies është se egot e mëdha shqetësuan procesin e skuadrës, siç ka ndodhur në të kaluarën, kur holandezët krijuan një reputacion për debatet e brendshme, të cilat krijuan fraksione në skuadër.
Si lojtarë, tashmë duhet të shohim veten tonë në pasqyrë, për të parë se çfarë shkoi keq, tha Roben pas ndeshjes me Portugalinë, e cila vendosi fatet e Holandës. Ne dështuam të gjithë së bashku, lojtarë dhe staf teknik, ashtu sikurse të gjithë ne ishim përgjegjës për suksesin tonë 2 vite më parë.
Ai nuk deklaroi asgjë rreth problemeve me Van Marvijk, por pamjet televizive të televizioneve holandeze tregojnë se anësori i ka thënë trajnerit të tij mbylle gojën, gjatë pjesës së dytë të humbjes 2-1 me Portugalinë, kur atij iu dha udhëzimi për të ndalur kalimet vrasëse të Ronaldos.
Drejtori i KNVB-së, Bert van Ostven, deklaroi pas humbjes së parë me Danimarkën se, puna e Van Marvijk nuk rrezikohej dhe këtë gjë e përsëriti edhe pas ndeshjes me Portugalinë. Van Marvijk drejtoi ekipin e tij pa asnjë problem gjatë eliminatoreve dhe arriti deri në finalen e Botërorit, kështu që meriton vlerësime për këtë, tha Van Ostven.
Por, ne do të rivlerësojmë këtë turne në javët e ardhshme dhe jo vetëm rezultatet, por gjithashtu stafin teknik dhe mjekësor. KNVB-ja ka shumë pak kohë për të vendosur mbi të ardhmen, teksa përpara ka një miqësore ndaj Belgjikës më 15 gusht, para se Holanda të nisë eliminatoret e Botërorit, ndaj Turqisë më 7 shtator.
