E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia përgatit kalin e Trojës!

Disa nga futbollistët e kombëtares helene e njohin shumë mirë Gjermaninë sepse aktivizohen në Bundesligë. Grekët synojnë të përsërisin mrekullinë Euro 2004

Grekët i pret tashmë ndeshja kundër Gjermanisë, e vlefshme për çerekfinalet e Euro 2012, por Janis Maniatis dhe Grigoris Makos anë thënë se kampionët e Europës në vitin 2004 duhet të mundohen të përfitojnë nga informacionet që mund të marrin nga të infiltruarit e tyre.

Kiriakos Papadopulos luan për skuadrën Shalke 04,  Sokratis Papastathopulos luan për Verder Bremenin dhe Kostas Fortunis luan për Kaizerslauternin, kështu që Maniatis është i mendimit se Greqia ka shumë mundësi për ta njohur nga afër lojën e gjermanaëve dhe mund të përgatitet shumë mirë për ndeshjen e ardhshme në Gdansk. “Ne kemi folur shumë me shokët e skuadrës që kanë luajtur ose që luajnë në Gjermani, ka thënë mbrojtësi i Olimpiakosit.

“Ata dinë më shumë gjëra për rivalët tanë dhe mund të na japin disa mendime për pikat e tyre të forta dhe të dobëta.” Greqia shkaktoi një befasi të madhe duke eliminuar Rusinë, një nga favoritet e turneut, duke e mposhtur 1-0 në ndeshjen e fundit në Grupin A në Varshavë.

Skuadra e Fernando Santosit ka mundësinë të shkaktojë një tjetër befasi në këtë turne kundër Gjermanisë e cila ka fituar 13 ndeshje radhazi që nga fillimi i eliminatoreve të Euro 2012.

“Do të luajmë kundër njërës prej skuadrave më të mira në EURO 2012 dhe nuk ka dyshim se Gjermania është favorite në çerekfinale”, ka thënë Maniatis, 25 vjeç. “Dhamë maksimumin tonë kundër Rusisë dhe u kualifikuam, duke befasuar të gjithë.

Ne patëm besim te vetja dhe prandaj jemi këtu sot. Do të bëjmë të njëjtën gjë të premten. E respektojmë Gjermaninë, por nuk e kemi frikë. Do të luftojmë për 90 minuta. Pasi të dëgjohet bilbili i fundit, atëherë do të shohim se çfarë do të kemi arritur.”

Mesfushori i AEK-ut, Makos, ka të njëjtin mendim me të, duke thënë: “Jemi konsideruar përherë si skuadër jofavorite, kundër çdo kundërshtari. Ne arritëm një kualifikim të madh dhe jemi ende në Poloni, pasi këtë i kishim vënë synim vetes.

Fillimi i ndeshjes së të premtes do të jetë vendimtar dhe do të diktojë ecurinë e ndeshjes.” Nëse ndeshja që do të luhet në Arena Gdansk shkon me penallti, Grekët mund të shqetësohen pak sepse kanë humbur tri penalltitë e fundit.

Giorgos Samaras dhe Kostas Katsuranis i humbën penalltitë e tyre më 31 maj në miqësoren e fundit para Europianit, kurse kapiteni Giorgos Karagunis humbi një penallti kundër Polonisë në ndeshjen e parë në grup, atë që hapi edhe turneun.

Ne kemi humbur tri penallti radhazi, por do të shënojmë në të tjerat, ka thënë Maniatis, para se Makos të shtonte: “I humbëm me qëllim, që të ngatërrojmë kundërshtarët.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›