Apeli i MB: Aplikoni dhe tërhiqni pasaportat biometrike të prodhuara
Ministria e Brendshme u bën apel qytetarëve që kanë aplikuar për pasaporta biometrike të paraqiten për t’i tërhequr ato, pasi pasaportat aktuale u kanë dalë nga qarkullimi në momentin që pasaporta biometrike është prodhuar dhe regjistruar në sistem. Gjithashtu, një tjetër apel u bëhet emigrantëve shqiptarë që kanë aplikuar gjatë këtyre ditëve për pasaporta biometrike, kryesisht atyre që kanë aplikuar për pasaporta pas datës 26 dhjetor 2009. Do të lejohen të kalojnë në pikat tona doganore vetëm nëse do kenë me vete kuponin e aplikimit dhe do të lejohen të kalojnë me këtë kupon deri në datën 10 janar dhe jo më pas, me qëllim që të mos u krijohen probleme në vendet e tyre të punës në Greqi apo dhe Itali. Emigrantët që do të jenë në Shqipëri pas datës 10 janar, do të detyrohen të tërheqin patjetër pasaportën biometrike për të cilën kanë aplikuar, pasi pasaporta aktuale u ka dalë nga qarkullimi kur kanë aplikuar për pasaportën e re. Këto sqarime Ministria e Brendshme i bëri dje përmes një konference për shtyp, në të cilën zëdhënësi Fatmir Konja deklaroi se “Ministria e Brendshme i bën me dije opinionit publik se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike po ecën me ritme të shpejta dhe duke zbatuar në mënyrë korrekte afatin dyjavor nga aplikimi tek lëshimi i pasaportës”. Sipas burimeve zyrtare, falë edhe mbështetjes së plotë të opinionit publik dhe faktit se të gjithë qytetarët, e veçanërisht emigrantët, janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pajisjes me pasaporta biometrike për të përfituar liberalizimin e vizave në mesin e këtij viti, ashtu siç edhe ka premtuar qeveria shqiptare, ritmi i aplikimit gjatë muajit dhjetor ka qenë 2-3 deri edhe katër herë më i lartë se kapaciteti maksimal i ofruar fillimisht nga kompania “Aleat”. Në muajin gusht dhe në muajin dhjetor 2009, bëjnë të ditur burimet zyrtare, kompania konçesionare “Aleat” në bazë të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, aplikoi orare të zgjatura shërbimi, madje duke shërbyer edhe në ditët e pushimit, apo dhe me shtim të stacioneve të punës, për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve, kryesisht të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Zëdhënësi Konja theksoi se “deri në fund të vitit 2009 është arritur një shifër impresionuese e aplikimit për pasaporta biometrike, konkretisht 388.569 aplikime” duke shtuar se “Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë qytetarëve jo vetëm të aplikojnë, por edhe të nxitojnë që të pajisen sa më parë me pasaportën biometrike”. Të gjithë aplikuesit për pasaportë biometrike që u është prodhuar pasaporta duhet ta tërheqin atë, sepse pasaportat sapo prodhohen, regjistrohen në sistem duke nxjerrë kështu të pavlefshme pasaportën e mëparshme. Ministria e Brendshme saktëson se asnjë aplikues pas datës 26.12.2009 nuk ndalohet deri në datën 10.01.2010 në asnjë pikë kalimi kufitar për shkak se vetëm ka aplikuar dhe nuk e ka marrë apo nuk i është prodhuar pasaporta. Por, në reagimin e saj zyrtar, Ministria e Brendshme i drejtohet edhe Partisë Socialiste, së cilës i drejton një pyetje: Kur ka ndërmend Partia Socialiste t’u bëjë thirrje qytetarëve shqiptarë që të pajisen me pasaporta biometrike? Ministria e Brendshme deklaron se detyrohet t’i shtrojë këtë pyetje, pasi shpreh keqardhjen që Partia Socialiste vazhdon politikën e saj demotivuese ndaj procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike.