Përplasje fatale në Vorë, një vdes, 3 plagosen rëndë
06/01/2010 Të tjera aksidente me emigrantë në Greqi
TIRANË-Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e djeshme në Vorë ku për pasojë ka vdekur një person dhe janë të plagosur tre persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës ku makina tip Benz ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën. Si pasojë e aksidentit ka vdekur një person dhe janë plagosur 3 të tjerë, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur. Menjëherë të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak ku po marrin ndihmën mjekësore. Ndërkohë policia ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit. Një tjetër aksident ka bërë që emigrantët shqiptarë që po kthehen në Greqi të mbeten në mes të rrugës. Në afërsi të qytetit verior të Greqisë, atij të Artës dje në mëngjes një autobus është përplasur dhe shënon numrin 3 të aksidenteve të ndodhura brenda 4 ditëve të fundit. Për fat të mirë nuk ka viktima, por vetëm dëme materiale. Mbetet akoma një pyetje pa u përgjigjur, cila është arsyeja që ndodhin këto aksidente. Përgjigja është e qartë në disa raste. Kompanitë, nëse mund t’i quanim kështu, thyejnë rregulloren dhe nuk kanë dy shoferë, por një, me pasojë lodhjen e tij të madhe dhe rrezik për emigrantët. Autobusët duken nga pamja e jashtme se janë të bukur, por nuk kanë garancitë teknike për të siguruar një udhëtim kaq të gjatë.