E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me leje te Inspektoratit, sërish në treg

Arsyeja pse edhe më tutje nëpër marketet kosovare gjenden lëngjet serbe si La Vita, Takovo, Hello, Fruvita, Verde dhe Nectar, është shumë e thjeshtë.

Inspektorati Sanitar i Kosovës duket se vetëm në mënyrë deklarative ka ndaluar qarkullimin dhe shitjen e këtyre lëngjeve.

Kjo për faktin se me dokumente është përkujdesur që t’u lëshojë procesverbale importuesve dhe përfaqësuesve të kompanive që merren me këtë punë, duke iu lejuar edhe më tej vazhdimin dhe shpërndarjen e lëngjeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.

Në një procesverbal që u është shpërndarë marketeve nëpër Prishtinë, të cilën Expressi e ka siguruar, thuhet se në bazë të rezultateve të analizave të bëra nga ana e institucionit përkatës, rezultojnë se këto produkte janë në përputhje me normat për konsum.

“Lëshohet distribuimi i artikujve ushqimorë – lëngjeve “Nektar” të të gjitha llojeve”, thuhet në procesverbal që mban datën 30 dhjetor 2009, i nënshkruar dhe vulosur nga një zyrtar i Inspektoratit Sanitar të Kosovës.

Ky dokument është lëshuar vetëm disa ditë pasi i njëjti Inspektorat ka marrë vendim për ndalimin e këtyre produkteve.

Pavarësisht kësaj, ky institucion ka lejuar disa importues të vazhdojnë furnizimin dhe shitjen e këtyre lëngjeve.

H. K. nga Prishtina është një tregtar, i cili nën kushtet e anonimitetit, tregon se në dyqanin e tij, para dy ditësh, zyrtarët i kanë sjellë këtë dokument, për vazhdimin shitjes së lëngjeve.

“Na kanë thënë se nëse vjen me iu kontrollu Inspektorati Sanitar, veç tregoja këtë dokument edhe nuk të bëjnë problem”, tregon ky tregtar.

Ai sqaron për Express se edhe më tutje është duke shitur produktet, pasi ka në duar një procesverbal zyrtar të Inspektoratit Sanitar të Kosovës.

Madje, sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve në media për të mos i konsumuar këto produkte, njerëzit vazhdojnë të blejnë lëngjet nga Serbia.

Në lidhje me lëshimin e këtij dokumenti, ka informacion edhe Ibrahim Tershnjaku, zëvendëskryeinspektor sanitar i Republikës së Kosovës.

Megjithëkëtë, ai beson se lëngjet e dëmshme tashmë janë bllokuar, duke iu referuar analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Madje ai nuk përton të shpjegojë edhe procesverbalet që i ka lëshuar ky Inspektorat, edhe përkundër thirrjeve për ndalimin e qarkullimit të lëngjeve.

Sipas Tershnjakut, procesverbalet bazohen në disa analiza të mëhershme. Por, ndryshe flasin faktet. Më 29 dhjetor, në një komunikatë për media, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë produkte si La Vita, Takovo, Hello, Fruvita, Verde dhe Nectar.

“Këto lëngje janë ndaluar dhe bllokuar nga qarkullimi deri në rezultatet përfundimtare, të cilat do të analizohen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasi Inspektorati Sanitar ka marrë mostrat nga distributorët e këtyre produkteve”, thuhej në komunikatë.

Ndërsa, një ditë më vonë, më 30 dhjetor, Inspektorati Sanitar u ka lëshuar procesverbale importuesve dhe përfaqësuesve të këtyre kompanive që të vazhdojnë me shitjen e lëngjeve.

“Është procesverbal me të cilin është konstatuar se ai produkt kur ka hyrë në Kosovë, ka një analizë me të cilën iu përgjigjet normave, mirëpo në bazë të rezultateve të fundit të Institutit Kombëtar, dalin se disa produkte...nuk iu përgjigjen normave dhe si të tilla do të ndalen”, arsyetohet Tershnjaku.

Inspektorati paralajmëron se do të fillojë inspektime nëpër dyqane dhe markete për të shikuar nëse shitësit po i përmbahen vendimit.

Por, duket se pronarët e dyqaneve nuk kanë nevojë të bëhen fare merak, ngase Kosova ka vetëm 65 inspektorë.

Mundësitë që do të shkojë ndonjë inspektor për t’i kontrolluar dyqanet janë shumë të vogla. Këto lëngje që prodhohen në Serbi, shteti serb i ka urdhëruar qytetarët e vet të mos i blejnë. Njëkohësisht është kërkuar heqja në tërësi e tyre nga shitja.

Pas kontrollit të cilësisë së këtyre lëngjeve që u është bërë nga institucionet përkatëse serbe, Organizata e Konsumatorëve nga Serbia, nga 10 dhjetori ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë së këtij shteti, ajo e Tregtisë dhe Shërbimeve, si dhe nga Inspektorati i Tregjeve, të ndalojnë rreptësisht shitjen e këtyre produkteve.

Bazuar në analizat laboratorike, kjo organizatë ka konstatuar se pirja e këtyre lëngjeve dëmton rëndë shëndetin, për shkak të mospërmbushjes elementare të kritereve për ushqim. Por, përveç që janë të dëmshme për shëndetin, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje mendojnë se prodhimet serbe janë të dëmshme edhe për ekonominë kosovare.

Visar Ymeri nga kjo lëvizje thotë se të gjitha produktet e prodhuara në Serbi duhet të bojkotohen në Kosovë, ngase janë duke e dëmtuar prodhimin vendor. Sipas tij, ngjarja e fundit me këto lëngje është edhe një mësim më i mirë pse duhet bojkotuar këto produkte.

“Është mirë që është duke u ndërmarrë diçka kohëve të fundit për t’u tërhequr këto lëngje nga tregu i Kosovës, mirëpo mua më brengos fakti se si deri tash këto lëngje janë lejuar të hyjnë në Kosovë”, thotë Ymeri për Express.

Sipas tij, dhe koha kur këto produkte kontrollohen është pikërisht kur vetë Serbia po i tërheq nga tregu dhe në këtë mënyrë po tregohet faktikisht që institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmerrte asgjë kundër këtyre lëngjeve, po që se nuk do të ndodhte një gjë e tillë në Serbi.

Me gjithë këto paralajmërime, kosovarët duket se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga ‘sokat’ e famshëm të Serbisë. Siç tregojnë shitësit, edhe më tutje këto produkte vazhdojnë të blihen nga konsumatorët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›