Tenderi i veshmbathjeve, Berberi i shpëton burgut
06/01/2010 Zbutet masa e sigurisë për biznesmenin e firmës “MALBERTEX” sh.p.k
TIRANE- Lirohet nga burgu njëri prej biznesmenëve që u arrestua për korrupsion gjatë kryerjes së procedurave për zhvillimin e tenderit të veshmbathjeve në Ministrinë e Brendshme. Ai quhet Artan Berberi pronar i firmës “MALBERTEX” sh.p.k, kompani kjo që ishte favorizuar nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme për të fituar disa nga tenderat e qepjes së rrobave të policisë së shtetit dhe Gardës së Republikës. Lirimi i tij është kryer për shkak se ai është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me organin e akuzës dhe të tregojë të gjithë aktivitetin kriminal që kanë kryer me dy biznesmenët dhe tre zyrtarët e tjerë. Fill pas këtij qëndrimi, Berberi i ka kërkuar si kusht Prokurorisë së Tiranës, zbutjen e masës së sigurisë dhe lënien e tij në arrest shtëpiak. Kërkesa është marrë parasysh nga prokurorët e Task-Forcës, të cilët pak ditë më parë i kanë kërkuar gjykatës së kryeqytetit lirimin e Artan Berberit nga burgu, dhe izolimin e tij në ambientet e banesës së tij. Aktualisht çështja penale në ngarkim të biznesmenit të tekstileve vazhdon të hetohet në njësinë Task-Forcë dhe pritet që së shpejti ai të dërgohet si i pandehur në gjykatë. Ndërkohë për sa i përket 5 të arrestuarve të tjerë mësohet se ata nuk kanë pranuar të flasin përballë hetuesve të çështjes, por kanë zgjedhur të heshtin. Skandali në abuzimet me tenderat në Ministrinë e Brendshme ka filluar më datën 3 gusht 2009 kur në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik është shpallur njoftimi për procedurën e prokurimit të fondeve publike me objekt “Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre”. Sipas shpalljes, fondi limit ishte 175.034.194 lekë. Veç firmave të tjera në prokurim janë paraqitur dhe kanë marrë pjesë edhe biznesmenët e arrestuar për korrupsion aktiv: Jani Gjergjefi, përfaqësues i shoqërisë private “Gjergjefi” sh.p.k., Agur Sadiku, përfaqësues i shoqërisë private “Sadiku” sh.p.k dhe Artan Berberi, pronar i firmës “MALBERTEX” sh.p.k. Pasi kanë paraqitur dokumentet, ata kanë hyrë në kontakt me shtetasin Redi Popescu përmes të cilit kanë paguar 10 për qindëshin e tenderit, pra shumë 125 mijë euro për t’u shpallur fitues.
Të arrestuarit
Bujar Murati: arrest në burg
Redi Popescu: arrest në burg
Tahir Imami: arrest në burg
Artan Berberi: arrest në shtëpi
Jani Gjergjefi: arrest në burg
Agur Sadiku: arrest në shtëpi