E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja divorc me PS-në. Rama: “Nuk eshte koha e ndarjeve”

Meta: “PS-ja abuzoi me reformën zgjedhore, do të shkëputemi”. Koalicioni i ri “E majta për integrim” mbështetet nga PAD-ja dhe PDS-ja
Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur dje divorcin zyrtar me Partinë Socialiste. Në emër të LSI-së, kryetari i saj, Ilir Meta, u ka bërë ftesë të gjitha partive të majta dhe shqiptarëve që të bashkohen në koalicionin e ri opozitar të kryesuar nga LSI-ja, i cili do të quhet “E majta për integrim”.
“Në kushtet e inekzistencës dhe prishjes së njëanshme nga PS-ja të koalicionit të vjetër opozitar, në emër të kryesisë së LSI-së iniciojmë ndërtimin e koalicionit të ri opozitar "E majta për integrim", i cili do të synojë integrimin dhe përfaqësimin e të gjitha kontributeve të të gjithë shqiptarëve që besojnë te vlerat e vërteta të së majtës, progresit dhe integrimit”, - deklaroi Meta.
Shkaqet
Shkaku kryesor i divorcit të LSI-së me Partinë Socialiste është i lidhur ngushtësisht me përplasjet dhe mosmarrëveshjet për çështjen e reformës zgjedhore. Meta fajësoi PS-në se së bashku me Partinë Demokratike po zvarrisin qëllimisht reformën zgjedhore dhe po e përdorin atë për interesat e ngushta personale.
“Në mënyrë të përsëritur kemi kërkuar arritjen e një konsensusi midis partive të opozitës si dhe kemi kërkuar shpeshherë mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Por, në vend të gjetjes së një konsensusi sa më të gjerë brenda opozitës dhe brenda vetë komisionit parlamentar pozitë-opozitë, lidershipi i PS-së ka zgjedhur bojkotimin e koalicionit opozitar, si dhe bllokimin e programuar të Komisionit Parlamentar për Reformën zgjedhore duke preferuar koalicionin e mbyllur "të listave të mbyllura" dhe "interesave të mbyllura" të lidershipit PD-PS.
Ndaj LSI-ja ndien përgjegjësitë e saj publike dhe kombëtare për të denoncuar këtë rrezik që i kanoset demokracisë dhe integrimit të vendit nga riciklimi i lojërave të përsëritura dhe me kosto të jashtëzakonshme për demokracinë dhe stabilititetin politik të vendit”, - tha Meta.
Vendimi
Vendimi i LSI-së është marrë pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, e cila ka analizuar me shqetësim zvarritjen e reformës zgjedhore nga ana e dy partive të mëdha. Pas diskutimit në këtë mbledhje, kryesia e LSI-së ka dalë në konkluzionet se koalicioni opozitar ka pushuar së funksionuari që pas zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit të vitit 2007 dhe për këtë përgjegjësia kryesore është e lidershipit të Partisë Socialiste. Sipas Metës: “Vendimet e rëndësishme për çështje madhore politike dhe të reformave janë marrë sistematikisht në mënyrë të njëanshme. Bashkëpunimi i hapur dhe luajal midis opozitës për hir të reformave madhore integruese është kthyer në një lidhje jotransparente dhe personale mes lidershipit të PS-së dhe PD-së”, - tha kryetari i LSI-së.
Riformatimi
Kryetari i LSI-së tha se krijimi i koalicionit të ri, “E majta për integrim”, do të ndikojë në fuqizimin e të majtës në Shqipëri.
“LSI-ja beson se jo vetëm politika shqiptare, por edhe e majta në përgjithësi, që sot hyn në një fazë të re cilësore dhe vendimtare për të ardhmen”, - tha Meta. Ndërkohë, reagimet e para pozitive pas shpalljes së nismës së LSI-së kanë qenë nga dy partitë e së majtës, PDS dhe PAD. Burime të sigurta bëjnë të ditur se shumë shpejt këto dy parti do t’i bashkohen zyrtarisht koalicionit të ri “E majta për integrim”.

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›