Zgjedhjet arrijnë standardet e OSBE/ODIHR-it, ngecin tek ato të NATO-s
Ambasadori Brus Xhorxh kritikon ashpër procesin zgjedhor dhe qeverinë. Nuk u arritën standardet. Edhe OSBE/ODIHR-i dhe Grosruk kritikojnë procesin
Eljona Ballhysa
Standardet në zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit kanë shkaktuar divergjenca mes përfaqësuesve të organizatave të përfshira në misionin e OSBE/ODIHR-it, ku kritikat më të ashpra kanë ardhur nga i deleguari i Asamblesë Parlamentare të NATO. Brus Xhorxh ka adresuar kritika të ashpra për procesin, për standardet deri te politizimet e tejskajshme të anëtarësimit të Shqipërisë në strukturën euroatlantike. “Nëse NATO do të ishte parti, pa dyshim që do të fitonte zgjedhjet”, - tha Brus Xhorxh, duke iu referuar edhe flamujve që vareshin nëpër institucione, apo që u përdorën në mitingjet elektorale. Kur nuk është mbyllur ende procesi i votimeve, përfaqësuesit e katër institucioneve kanë bërë të ditur parregullsitë e konstatuara dhe kanë pohuar se do të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri edhe misioni i vëzhguesve afatshkurtër, derisa të mbyllet procesi.
Raportimet
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, deklaroi dje se vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar dhe se është i gëzuar për progresin e shënuar. Procesi zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve është vlerësuar nga ndërkombëtarët si i qetë dhe pa incidente. Ndërkaq, koordinatori Special i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it ka renditur disa nga problemet teknike të vëna re gjatë ditës së zgjedhjeve. “Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore, pa incidente të rëndësishme apo dhunë. Gjatë hapjes së qendrave të votimit vëzhguesit e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve konstatuan fillimin e vonuar të procedurave të votimit, si edhe materialet e paplota zgjedhore, duke përfshirë rastet kur mungonte boja matrikuluese, ose kur kutitë e bojës për vulosjen e fletëve të votimit ishin tharë. Procedurat e mbylljes së votimit u vlerësuan si përgjithësisht pozitive nga vëzhguesit e MNVZ-së, por disa prej tyre vunë re ngadalësim të procesit si pasojë e mungesës në dukje të trajnimit. Ata gjithashtu raportuan probleme procedurale dhe raste të shpeshta kur vëzhguesve partiakë nuk iu dhanë kopje të procesverbalit të mbylljes”, - shkruhet në raportin paraprak të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ndërsa kryetarja e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Korien Jonker, deklaroi dje se këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si vendet e tjerë europiane, por ajo lëshoi kritika të ashpra për mediat, fushatën zgjedhore dhe partitë politike. Jonker pohoi se Këshilli i Europës do të vazhdojë të monitorojë respektimin e kushteve të përcaktuara në rezolutën e miratuar për Shqipërinë. Ndërkaq, zonja Glover, kryesuesja e misionit të ODIHR-it, ekspertja e njohur për çështjet zgjedhore, ka ripërsëritur shprehjen e saj: “Faktet flasin”, duke iu referuar të dhënave dhe problemeve të konstatuara. “ODIHR-i kësaj radhe ka ndryshuar skemën e vlerësimit, duke mos u bazuar te skema standarde, “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, por duke e krahasuar procesin zgjedhor me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të OSBE/ODIHR-t, Këshillit të Europës, NATO-s, kritereve të Kopenhagenit etj.
Reagimi
Në ndryshim nga qëndrimet deri diku të modifikuara dhe të paspecifikuara për standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit të krerëve të KE-së, OSBE-së, përfaqësuesi i NATO-s, ambasadori Brus Xhorxh, ka bërë kritika të ashpra ndaj zgjedhjeve dhe reformave në tërësi. Ai ka inspektuar ditën e diel qendrat e votimit dhe pohoi se ka shkelje të rënda si votimi familjar, probleme me verifikimin e dokumenteve të identifikimit, persona të paautorizuar etj. Ai ka monitoruar edhe procesin e zgjedhjeve të vitit 2001 dhe ka pranuar se ka përmirësime, por ka thënë se zgjedhjet i realizuan pjesërisht standardet. “Unë do të raportoj në takimin e nëntorit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, - tha Xhorxh për gazetën. Ai ka vënë theksin te reformat, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që duhet të ndërmarrë qeveria. “Standardet e këtyre zgjedhjeve nuk do ta përshpejtojnë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, - tha ambasadori britanik për gazetën.
Deri diku, në të njëjtën linjë ka qenë edhe zonja Glover përsa i përket ecurisë së votimeve, e cila ka refuzuar që të flasë nëse zgjedhjet ishin konform standardeve të OSBE/ODIHR-it. Ajo ka vlerësuar pozitive punën e KQZ-së, por ka kritikuar punën e qeverisë, sidomos me format e presionit ndaj administratës, krijimin e kushteve të nevojshme për KZAZ-të etj. Në ndryshim nga deklarata paraprake e të gjitha organizatave, secila prej tyre, por veçmas Asambleja Parlamentare e NATO-s, përmes përfaqësuesit të saj, Brus Xhorxh, ka fshikulluar për herë të parë, hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, vendin që ka pak muaj që është anëtarësuar në Aleancën Euroatlantike. (Shih në tabelë të dhënat sipas standardeve të përcaktuara nga OSBE/ODIHR-i).
30 Qershor 2009