Raporti paraprak: “Zgjedhjet, në përputhje me standardet e OSBE-së dhe të KE-së”
Gjatë ditës së djeshme misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve publikoi raportin paraprak të zgjedhjeve të datës 28 qershor në Shqipëri. “Zgjedhjet vlerësohen për përputhshmërinë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike, si edhe me legjislacionin shqiptar. Kjo deklaratë e konstatimeve dhe përfundimeve paraprake nxirret përpara mbylljes së procesit. Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet në mënyrë të ndjeshme nga ecuria e fazave të fundit të procesit zgjedhor, në mënyrë të veçantë nga numërimi i votave, mbledhja e rezultateve”, - shkruhet në raportin e OSBE/ODIHR-it, KE-së dhe NATO-s. Megjithëse në raport theksohet së është vërejtur progres i prekshëm, gjatë procesit zgjedhor janë shënuar një sërë problemesh, kryesisht teknike. “Zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor në Shqipëri shënuan progres të prekshëm përsa i përket kuadrit ligjor, i cili u miratua në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore dhe procesit të regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, një proces që më parë kishte qenë burim polemikash. Këto përmirësime u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit nga partitë politike dhe nga shkeljet që u vëzhguan gjatë fushatës zgjedhore, elemente këto që zbehën besimin e publikut në procesin zgjedhor”, - shkruhet në raport. Në raport është bërë e ditur se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti u shoqërua me akuza të ndërsjella midis partive politike. “Nisja me vonesë e shpërndarjes së kartave të identitetit, mungesa e kapaciteteve administrative dhe të metat teknike kontribuuan që kjo çështje të bëhej një nga çështjet më të kontestuara të këtyre zgjedhjeve.
Volfgang Grosruk (OSBE)
“Vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar dhe shumë prej frikërave që kemi pasur vetëm disa muaj më parë nuk janë konkretizuar. Unë sigurisht jam i gëzuar për progresin që pamë, por janë ende një numër i konsiderueshëm çështjesh që duhen trajtuar, veçanërisht klima e polarizuar politike”
Korien Jonker (Këshilli i Europës)
“Këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vende të tjera europiane. Tashmë bie një përgjegjësi shumë e madhe mbi autoritetet dhe aktorët kryesorë politikë në vend, të cilët duhet të punojnë shumë për të krijuar besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor demokratik”
Brus Xhorxh (NATO)
“Raporti ynë shfaq zhvillime pozitive, por dhe disa negative në kryerjen e këtyre zgjedhjeve. Është bërë progres që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005. Megjithatë, ende nevojiten përpjekje të mëdha nga të gjitha forcat politike, me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara ndërkombëtare”
Odrei Glover (ODIHR)
“Kodi i ri Zgjedhor, i miratuar me konsensusin e të dyja partive kryesore politike, prezantoi një sërë përmirësimesh dhe garancish të rëndësishme, veçanërisht përsa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Është për të ardhur keq, pasi niveli i lartë i mosbesimit mes palëve, përdorimi i aktiviteteve zyrtare për qëllime fushate dhe akuzat për presion mbi zgjedhësit nuk e rritën besimin e publikut në procesin zgjedhor”
Nr/Org. STANDARDET ODIHR PA OSBE PACE AP NATO
1 Kuadri ligjor + + + +
2 Karta e identitetit + +
3 Fushata zgjedhore - - (dhunë) - -
4 Administrata - - -
5 Partitë politike - - - -
6 KQZ-ja +
7 BMMedias -
8 Media - -
9 Mbyllja e qendrave të votimit - -
10 Numërimi i votës -? -
11 Kolegji Zgjedhor +
12 Ref. qeverisë -
13 Monitorimi
14 Policia + +
15 Votimi familjar - - - -
16 Qeverisja vendore - - -
17 Financimi i partive - - -
30 Qershor 2009