Apeli i Topit: KQZ duhet të respektojë Kushtetutën
Gati dhjetë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thyer heshtjen duke bërë komentin e tij të parë për zgjedhjet. Në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit "Luarasi", ku i diplomohej edhe vajza e tij, kreu i shtetit është treguar i kujdesshëm, duke mos dashur të bëjë deklarata për shtyp. Por, pas mbarimit të kësaj ceremonie, ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë dot interesit të mediave për të dhënë një koment në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri, nëse u plotësuan standardet apo jo. Kreu i shtetit ka thënë se për arritjen e standardeve janë shprehur ndërkombëtarët, por, ka theksuar ai, duhet të falënderohet edhe populli shqiptar për civilizimin që tregoi ditën e zgjedhjeve, të cilat kaluan të qeta, ndërsa sot vëmendja është drejtuar nga institucioni i KQZ-së. Ky institucion, ka theksuar Topi, duhet të zbatojë ligjin, pasi vetëm kaq mund të shprehem, sepse nuk kam shumë informacione në lidhje me punën e tij. Më parë, tha Topi, në KQZ Presidenti ka pasur një përfaqësues, të cilin sot nuk e ka më, ndaj dhe atëherë shprehej ndryshe, kur kishte informacion të plotë. Në lidhje me kodin, Topi është shprehur se Presidenti nuk ndërhyn në vullnetin e partive politike. Topi tha se ai nuk mund të ndërhyjë në këtë proces, por ju kërkoi partive politike që kur të bëjnë ligje, të jenë të konsoliduara.