Muri te Vilat, përjashton plazhistët
"Na ishte njëherë" plazhi te zonat ku ngrihen vilat qeveritare. Kështu mund të cilësohet zona ku ngrihen rezidencat qeveritare, pasi sipërfaqja e plazhit është tkurrur dhe plazhistët janë detyruar të ngjishen me njëri-tjetrin në një sipërfaqe vetëm disa metra katrorë. "Gardhi" i ri, që i është shtuar së fundmi plazhit të vilave qeveritare, i cili mbrohet me ushtarë, ka penguar pushuesit që të bëjnë plazh në këtë zonë. Pas konfliktit, ndërmjet pronarëve dhe përfaqësuesve të rezidencave, për pretendimet për pronësi të këtyre të fundit, është vendosur rrethimi i së gjithë zonës. Muri është bërë nga përfaqësuesit e rezidencave, në një kohë kur ato janë duke iu nënshtruar rikonstruksionit. Por penalizimi ndaj pronarëve bie në kurriz të turistëve. Pushuesit ankohen se rrethimi që i është bërë plazhit, është i pakuptimtë dhe pengon qindra pushues që të frekuentojnë një nga plazhet më të bukur dhe më të populluar në Vlorë. Dje, ndonëse plazhi ka qenë tepër i frekuentuar, pushuesit nuk kanë mundur të kapërcejnë bregun përbri, i cili tashmë i boshatisur, përbën pjesën më të madhe të zonës. Ndërkohë një nga pronarët, Arsen Kadëna ka pohuar për gazetën "Shqip" se rrethimi i zonës dhe shpërngulja e tyre me forcë nga prona, është shkelje e ligjit. "Këtu po bëhet më keq se në kohën e Enverit. Atëherë ishte rrethuar me tel, tani është rrethuar me mur. Nuk e kuptojmë sa do të vijojë ky absurditet. Është e pafalshme kjo që bën qeveria jonë. Ne kemi kërkuar disa herë që të na kthehej e drejta, por është e kotë. Gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër. Tani na kanë hequr edhe nga lokalet tona, të cilat kanë falimentuar, edhe pse janë të vendosura brenda territorit të pronës sonë", shprehet i indinjuar pinjolli i Kadënave.