E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSE mbështeti një koalicion PS-LSI

Partia Socialiste Europiane mbështeti formimin e një koalicioni midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të kësaj strukture, www.pes.org, citohet në një prononcim sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Europiane, Philip Cordery. Sipas tij, Shqipëria duhet të qeveriset nga një koalicion progresist në interes të popullit. "Me qëllim tejkalimin e krizës ekonomike, për të ofruar një stabilitet politik dhe një sistem elektoral eficent, për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Europian, Partia Socialiste Europiane inkurajon fort një koalicion midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste", citohet të jetë shprehur Cordery. Socialistët europianë konstatojnë se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 ishin të një rëndësie të madhe për vendin. PSE shpreh keqardhje për incidentet e ndodhura gjatë votimit dhe numërimit të votave. "Të dyja partitë kryesore shkëmbyen akuza duke fajësuar njëra-tjetrën për përpjekje në ndërhyrje të numërimit të votave, me qëllim ndikimin te rezultati përfundimtar", thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të PSE-së. Vëzhguesit ndërkombëtarë, thuhet në deklaratë, vunë në dukje se ndërsa procesi zgjedhor tregoi përmirësime krahasuar me votimet e mëparshme, një numër shkeljesh u vunë re. "BE-ja i bëri thirrje Shqipërisë për të mbajtur standarde më të larta në zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht nga përmirësimet e konsiderueshme, zgjedhjet nuk përmbushën tërësisht kërkesat e Bashkimit Europian", vijon deklarata. Sipas pasqyrimit që i bëjnë socialistët europianë rezultatit të zgjedhjeve, Partia Socialiste e kryesuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, ka 66 deputetë, demokratët e Sali Berishës 70, ndërsa Aleanca Socialiste për Integrim e ish-kryeministrit Ilir Meta, një partnere potenciale e socialistëve, ka katër vende. Funksionarët e Partisë Socialiste Europiane kanë qenë shpesh në rolin e ndërmjetësit për bashkëpunimin midis të majtëve. Teksa bëri publik pak ditë më parë vendimin për të bashkëpunuar në një koalicion qeverisës me Partinë Demokratike, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se kishte pasur ndërhyrje për bashkim të së majtës nga strukturat e socialistëve europianë. Sipas Metës, ishte kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që nuk u bë pjesë e takimeve të ndërmjetësuara midis socialistëve europianë. Gjithsesi pozicionimi aktual i dy partive të së majtës në Shqipëri duket se është shumë larg asaj çka ka dashur vullneti politik i Partisë Socialiste Europiane. Një tjetër strukturë e cila ka luajtur rol vendimtar në marrëdhëniet mes të majtës në Shqipëri është edhe Internacionalja Socialiste. Partia Socialiste e Shqipërisë është njëkohësisht anëtare e Internacionales Socialiste, ashtu sikurse edhe Partia Socialdemokrate e Shqipërisë. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është ende pjesë e Internacionales, ndonëse ka shprehur gatishmërinë për t‘u përfshirë në këtë strukturë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›