E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bashkiake nis "betejën" me shezlongët

Policia bashkiake e Sarandës ka nisur dje "sulmin" ndaj çadrave dhe shezlongëve, që nuk respektojnë largësinë nga bregu i detit. Duke marrë shkak nga disa sinjalizime të qytetarëve dhe pushuesve të këtij sezoni, për mënyrën e administrimit të plazheve publike nga privatët, policia bashkiake e Sarandës ka kryer një inspektim të këtyre hapësirave publike. Mësohet se është kërkuar që të gjithë përdoruesit e plazheve publike të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve në bashki për t‘u njohur edhe një herë me kriteret e shfrytëzimit të sipërfaqeve në plazhe dhe mënyrën e pagesës që duhet kryer për llogari të bashkisë. "Në komunikimin tonë me përdoruesit e plazheve publike që ofrojnë shezlongë e çadra me qira, u kemi bërë të qartë atyre se një nga kushtet që ata të vazhdojnë të ushtrojnë këtë veprimtari, është lënia e lirë për qytetarët e brezit të parë të plazheve, deri te buza e ujit. Vetëm në brezin e dytë do të lejohet të vendosen shezlongë e çadra", ka thënë Ajet Skëndaj, polic bashkiak. Mësohet se kushti është pranuar prej privatëve, që e ushtrojnë këtë veprimtari dhe kjo mënyrë e re e administrimit të sipërfaqes së rërës së plazheve ka nisur që dje. Aksioni është konsideruar si fazë paralajmërimi, më pas, nëse nuk respektohen kushtet, do të ndërmerren masa ndëshkimore për të gjithë ata që shkelin rregullat.

Ndërkohë bashkia e qytetit ka marrë masa, në 4-5 plazhet publike, që gjenden brenda qytetit të Sarandës, për akomodimin e turistëve. Duke nisur nga Plazhi i Centralit, në afërsi të Pontilit, në atë të shëtitores "Hasan Tahsini", në Plazhin e Ri e atë të Pllakave në lagjen Kodër është hedhur rërë e re, për të rritur cilësinë e kushteve në to për atë kategori banorësh e peshuesish që nuk i kanë mundësitë për të shkuar në plazhe jashtë Sarandës, si në Ksamil, Bunec etj. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Robert Maçi, një nga detyrat që i është lënë sektorit të shërbimeve në bashki ka qenë mbushja e sipërfaqeve të plazheve me rërë. Kjo sipas Maçit po realizohet në bashkëpunim me sipërmarrës privatë, si kusht që ata të mund të shfrytëzojnë sipërfaqe të limituara, sektorë të caktuar në plazhe për të ofruar shërbim sezonal me çadra e shezlongë. Kësaj i ka shërbyer, kërkesa e qeverisjes vendore që brezi i parë i rërës, ai më pranë buzës së ujit, të jetë i lirë nga shezlongët e çadrat, për të lënë të lirë pushuesin, të vendosë nëse ka nevojë. "Edhe herë të tjera, është thënë kjo, por nuk është zbatuar, -shprehet kryetari i këshillit bashkiak, Arjan Demiri, pasi administrata ka lënë të lira bizneset të fitojnë, në kurriz të qytetarit, që është në të drejtën e tij të marrë shezlong e çadër, kundrejt pagesës, apo t‘i sigurojë vetë ato, ndoshta edhe duke i sjellë nga shtëpia".

Nga ana tjetër, marrja në kujdes e sipërfaqeve të kufizuara në plazhe nga privatët ka bërë që ato të mbahen pastër e të sistemuar në çdo orë të ditës, pa qenë nevoja që në to të pritet të shkojë punëtori i firmës së pastrimit të bashkisë, që në verë vështirë se i mbetet kohë për të pastruar plazhet. "Unë rri me kosh plehrash në dorë, duke mbledhur çdo mbeturinë, bërthamë frutash, kanoçe apo dhe bisht cigareje, që mund të hedhin plazhistët gjatë ditës", tregon Bush Jaçe, një nga sipërmarrësit e një sektori plazhi nën shëtitoren "H.Tahsini". Ai thotë se edhe rërën nuk e le ta marrë deti natën, por i hap një kanal që e ruan nga vala dhe në mëngjes e mbulon prapë, për ta gjetur plazhisti çdo gjë në rregull.

Mungesa

Nudistët, pa plazhe edhe këtë vit

Ajo që u mungon të gjitha plazheve brenda në qytet është orientimi se ku turisti vendas apo i huaj e ka të lejuar të lahet topless apo nudo. Përcaktimi në plazhet publike i sektorit ku mundësohet larja nudo, ende qëndron si një nga mungesat e paplotësuara të plazheve të Sarandës. Për t‘i paraprirë përsëritjes së episodeve të larjes topless apo nudo të të huajve, si vitet e kaluara, atje ku ka plazhistë familjarë, bashkia ka vendosur një tabelë në plazhet më të populluar, duke publikuar se në to ndalohet larja nudo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›