E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama nuk më uroi për fitoren

Kryetari i PD-së, njëkohësisht njeriu që pritet të kryesojë qeverinë e Integrimit Europian, Sali Berisha, ka bërë publike për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit axhendën e tij në krye të qeverisë së vendit. Në emisionin "Opinion", kreu i PD-së pohoi se është shumë i kënaqur me fitoren e 28 qershorit, edhe pse nuk ishte fitorja plebishitare e pritshme nga PD-ja. "Berisha asnjëherë s‘ka qeverisur pa koalicion dhe s‘do ta bëjë kurrë këtë gjë. Koalicioni do të jetë i dobishëm për vendin. Fitorja është si xhevahir, e madhe apo e vogël qoftë ajo", tha Berisha, duke folur për ndërtimin e koalicionit mes PD-së dhe LSI-së. Kreu i PD-së bëri me dije se nuk ka marrë ende urimet nga rivali i tij politik. "Unë, nëse do të humbisja, do t‘i telefonoja Ramës. Ai nuk e bëri. E humbi rastin", tha Berisha. Lidhur me standardet e zgjedhjeve, kreu i PD-së theksoi se ato ishin më të mirat që ka pasur deri më sot Shqipëria. "Nuk ka asnjë vend tjetër në botë që të vendosë fletën e votimit përpara kamerës për të parë votën", tha ai. Berisha nguli këmbë se nëse do të humbte zgjedhjet, do të jepte dorëheqjen, ashtu sikurse kishte pretenduar teksa ftoi Ramën të ndjekë shembullin e paraardhësit të tij në parti, Fatos Nanos. Sipas tij, standardi që vendosi Shqipëria me kamerat është unik. "Nuk them se zgjedhjet ishin të përsosura, por ishin më të mirat që ka pasur deri më sot Shqipëria", theksoi Berisha. Fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, kreu i PD-së më shumë sesa veprim historik e cilësoi si një fitore për të ardhmen. "Unë jam e ardhmja, jo historia. Sot jam më i votuari nga rinia shqiptare dhe vij sërish si fitimtar. Historitë le t‘ua lëmë arkivave, unë merrem me të ardhmen", tha ai. Për sa i takon fitores dhe përballjes me elektoratin, Berisha shtoi se "ta provojnë edhe njëherë kundërshtarët e mi që ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve. Unë jam më i votuari". Sipas tij, të rinjtë janë të bashkuar me Partinë Demokratike rreth idealeve europiane dhe ato e shndërrojnë Shqipërinë në një vend të ngjashëm me vendet e tjera europiane. Kreu i PD-së theksoi se nuk do të ndërhyjë në vendimet e opozitës për protestat dhe për mosnjohjen e rezultatit. "Opozita ka të drejtë të bëjë kritika, por uroj të mos bëhet opozita e kutisë. Kutitë e Fierit do të numërohen, askush nuk mund ta mohojë votën, por duhet kërkuar zbatimi i ligjit", tha Berisha. Kreu i shumicës theksoi se "këto zgjedhje treguan se duhet dyfishuar numri i qendrave të numërimit dhe në këtë mënyrë do të kemi rezultat në të gjitha qarqet brenda 24 orëve". Në pritje të formëzimit të qeverisë së re, Berisha sqaroi se është në pritje të negociatave finale me LSI-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›