E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat sociale, javën tjetër tenderi

Javën e ardhshme do të zhvillohet, për herë të dytë, tenderi për banesat sociale në qytetin e Fierit. Juristi i bashkisë, Fier Luan Çala, ka bërë publik këtë fakt, duke deklaruar gjithashtu se këtë herë shpresohet që tenderi të zhvillohet dhe që puna për ndërtimin e këtyre banesave të nisë sa më parë. "Presim që këto ditë të zhvillohet tenderi për banesat sociale dhe shpresojmë të mos kemi më dështim. Janë 96 familje të cilat presin sa më parë nisjen nga puna të ndërtimit të pallatit dhe që do të hyjnë në këto banesa edhe pse me qira" - ka thënë Çala. Pak kohë më parë u zhvillua faza e parë e tenderit, por për shkak të mosplotësimit të numrit në kohë të firmave dhe mungesës së dokumentacioneve, ai dështoi, duke u shtyrë për ditët e korrikut. Aktualisht këto banesa me anë të një vendimi të këshillit bashkiak muaj më parë pritet të ndërtohen në lagjen "16 Prilli" të qytetit të Fierit, ku po sipas këtij vendimi është lënë në dispozicion një sipërfaqe prej 9000 metër katrorësh.

Nga këto banesa do të përfitojnë 96 familje, të cilat i kanë plotësuar kushtet dhe kanë siguruar statusin e të pastrehëve, edhe pse numri i tyre në listën e Bashkisë së Fierit rezulton shumë më tepër se 700.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›