Tahiri-Haxhinasto, debat për lëvizjen e LSI-së
Lëvizja e fundit e Ilir Metës ishte mbrëmë tema kryesore e diskutimit në emisionin "Top Story", në "Top Channel". Të ftuarit në studio, Sajmir Tahiri nga PS-ja dhe Sokol Haxhinasto nga LSI-ja, kanë diskutuar rreth kësaj bashkëjetese politike. Deputeti i ri i PS-së, Tahiri, theksoi faktin se përgatitjet për këto zgjedhje ishin kaotike dhe të çoroditura. Ndërsa fushata zgjedhore, theksoi Tahiri, nuk ishte fushata që ne prisnim, por ishte një fushatë e financuar nga mazhoranca dhe me probleme. Gjatë kësaj fushate, shqiptarët patën mundësi të shohin fytyrën e politikës së vjetër që nga njëra anë mbledh votat dhe nga ana tjetër shet mandatet. Meta bëri fushatë duke sharë Berishën dhe duke kërkuar votat për largimin e tij, shtoi Tahiri, dhe në situatën paszgjedhore ai pranon të bashkëqeverisë me të. Dhe njëherë Tahiri përshëndeti faktin se nëse vidhet mandati i Fierit nga KQZ-ja dhe mazhoranca, PS-ja nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve. "Nëse më 28 qershor PS kishte gjithë të drejtën për të kërkuar bërjen e politikës së re, sot pas ngjarjeve të pazakonta, pas kalimit të Metës në gjirin e Berishës, kemi më shumë se kurrë të drejtë t‘u drejtohemi shqiptarëve për t‘i dhënë vendit një politike të re dhe një frymëmarrje të re", theksoi Tahiri. Qëndrimet e deputetit të PS-së, Tahiri, janë kundërshtuar nga zyrtari i LSI-së, Haxhinasto, i cili theksoi se nuk është hera e parë që pas çdo humbjeje PS-ja ia faturon atë LSI-së. Tahiri, tha Haxhinasto, vazhdon me retorikën elektorale, duke u përpjekur të cilësojë fajtore LSI-në që ka shkuar te gjiri i Berishës, apo që u humbën zgjedhjet. Haxhinasto ka kërkuar që PS-ja të jetë serioze në politikën që bën, pasi po tregon se nuk ka forcë për t‘i parë gjërat siç janë. Ne, tha Haxhinasto, jemi forca e parë politike që pas zgjedhjeve të 2005-ës kemi kërkuar një reformë të mirë zgjedhore dhe ka qenë PS-ja bashkautore e këtij sistemi të miratuar nga dy partitë, pavarësisht se ne si forcë politike ishim kundër. Sipas Haxhinastos, sistemi që u zgjodh ishte për të shkatërruar LSI-në dhe partitë e tjera të vogla. "Këto parti tani po ju bëjnë fajtor për kodin, pavarësish se janë aleatët tuaj", tha ai. Haxhinasto pranoi faktin se LSI bëri fushatë duke sulmuar Berishën dhe ftoi edhe PS-në në këtë betejë, por socialistët ishin të bindur se do kishin një fitore të thellë prej 75 mandatesh.