E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet universiteti elektoral i Peshkopisë

Dibër Nxënësit dërgohen me “pushime” njëjavore. Nuk dihet nëse dyert e kësaj shkolle do të rihapen sërish

Që prej ditës së hënë, Universiteti i Peshkopisë, filial i Universitetit të Durrësit, ka mbyllur dyert për studentët që vazhdojnë mësimet në të. Shkaku i mbylljes së këtij universiteti, nuk bëhet i ditur zyrtarisht. Të hënën 420 studentë të këtij universiteti, kanë shkuar si për çdo ditë të nisin mësimin në auditorë, por nuk kanë bërë. Studentëve u është komunikuar nga dekania Anila Doda, se duhet të shkojnë në shtëpi me pushime njëjavore. Doda ka qenë jo e qartë në dhënien e këtij pushimi për studentët, por ka pretenduar se kjo është një ndërprerje në kuadër të mbarimit të semestrit të parë, ku një javë tjetër është zhvilluar gjatë Vitit të Ri. Madje, studentët tregojnë se u është thënë se filiali i Universitetit të Peshkopisë, vijon të punojë sipas sistemit amerikan, që në këtë periudhë shkollore merr pushime njëjavore. Nga burime jozyrtare, mësohet se shkaku i vërtetë i mbylljes së këtij universiteti, ka lidhje me mungesën e pedagogëve, të cilët duhet të vijnë nga Durrësi në Peshkopi për të zhvilluar mësim. Edhe deri më tani zhvillimi i mësimit në këtë universitet ka qenë me probleme, për shkak të mungesave të pedagogëve, të cilët thuhet se kanë pasur vërejtje edhe për pagesën, e cila sipas tyre nuk ka qenë e kënaqshme. Universiteti i Peshkopisë i premtuar në fushatën elektorale të 28 qershorit të vitit të kaluar, u hap për herë të parë në këtë qytet, në vitin akademik shkollor në vazhdim 2009-2010, pikërisht si premtim i fushatës zgjedhore edhe pse në stafin pedagogjik të tij nuk ka asnjë pedagog vendas. Gjithsesi, 420 studentët e këtij universiteti, të ardhur jo vetëm nga Dibra, por edhe nga rrethe të tjera të vendit, kanë nisur pushimet dhe nuk dihet nëse të hënën e javës që vjen do t’u rikthehen auditorëve të dijes për ta.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›